Presidenti Topi në Turqi, merr pjesë në Samitin e 15-të ekonomik euro-aziatik

Presidenti Bamir Topi / Foto arkiv
Presidenti Topi ndodhet në Turqi, ku do të marrë pjesë në Samitin e 15-të Ekonomik Euro-aziatik, me ftesë të Drejtuesit të Fondacionit Marmara, Akan Suver.
Në samit marrin pjesë autoritete të larta shtetërore të vendeve evropiane e aziatike, kryetarë shtetesh, drejtues e përfaqësues organizatash të rëndësishme amerikane, franceze, gjermane, ruse, angleze, zvicerane etj, si dhe mjaft biznesmenë e të ftuar të tjerë.
Kreu i shtetit dhe delegacioni që e shoqëron do të marrin pjesë në seancën e veçantë të Izmirit të krerëve të shteteve të ftuar në Samit, në Seancën e Presidentëve, me temë: Uria, varfëria, papunësia, gjatë së cilës, përveç diskutimeve mbi strategjitë e kapërcimit të situatës së vështirë të krizës ekonomike dhe financiare që ka përfshirë botën, do të flitet edhe për zhvillimin e mëtejshëm të perspektivave të përbashkëta mes vendeve evropiane e aziatike, fuqizimin e marrëdhënieve politike dhe shtimin e bashkëpunimit, sidomos në drejtim të rritjes së projekteve ekonomike dhe përmirësimit cilësor të jetës sociale të popujve.
Gjatë punimeve të kësaj seance të Samitit të 15-të Ekonomik Euro-aziatik, Presidenti i Republikës do të mbajë një fjalë përshëndetëse mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri, mbi situatën e vështirë ekonomike e financiare globale, si dhe do të ngrejë çështje të rëndësishme të shtimit të bashkëpunimit euro-aziatik dhe të hartimit dhe zbatimit të projekteve të përbashkëta ekonomike, energjetike, infrastrukturore, etj, dhe të rritjes së prosperitetit për të gjitha vendet dhe të harmonisë mes popujve. / G.N.