E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi në Turqi, merr pjesë në samitin e 15-të ekonomik euro-aziatik

Kreu i shtetit Bamir Topi ndodhet në Turqi ku do të marrë pjesë në Samitin e 15-të Ekonomik Euro-aziatik, me ftesë të Drejtuesit të Fondacionit “Marmara”, Dr. Akan Suver. Në punimet e Samitit do të jenë të pranishëm autoritete të larta shtetërore të vendeve evropiane e aziatike, kryetarë shtetesh, drejtues e përfaqësues organizatash të rëndësishme amerikane, franceze, gjermane, ruse, angleze, zvicerane, etj, si dhe mjaft biznesmenë e të ftuar të tjerë.
 

Presidenti Topi në krye të delegacionit zyrtar do të marrë pjesë në seancën e veçantë të Izmirit të krerëve të shteteve të ftuar në Samit, në “Seancën e Presidentëve”, me temë: “Uria, varfëria, papunësia”, gjatë së cilës, përveç diskutimeve mbi strategjitë e kapërcimit të situatës së vështirë të krizës ekonomike dhe financiare që ka përfshirë botën, do të flitet edhe për zhvillimin e mëtejshëm të perspektivave të përbashkëta mes vendeve evropiane e aziatike, fuqizimin e marrëdhënieve politike dhe shtimin e bashkëpunimit, sidomos në drejtim të rritjes së projekteve ekonomike dhe përmirësimit cilësor të jetës sociale të popujve.
 

Gjatë punimeve të kësaj Seance të Samitit të 15-të Ekonomik Euro-aziatik, Presidenti i Republikës do të mbajë një fjalë përshëndetëse mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri, mbi situatën e vështirë ekonomike e financiare globale, si dhe do të ngrejë çështje të rëndësishme të shtimit të bashkëpunimit euro-aziatik dhe të hartimit dhe zbatimit të projekteve të përbashkëta ekonomike, energjetike, infrastrukturore, etj, dhe të rritjes së prosperitetit për të gjitha vendet dhe të harmonisë mes popujve.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›