E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, nis "Lëvizja për Mendimin Ndryshe"

Ben Blushi dhe Arben Malaj, përfaqësues të grupit kundër kreut në detyrë Edi Rama zyrtarizojnë sot "Lëvizjen e Mendimit Ndryshe" në Partinë Socialiste. Takimi i parë do të zhvillohet sot pasdite në kryeqytet për të vijuar me qytete të tjera. Qëllimi i kësaj lëvizje është që t‘i shpjegojë bazës socialiste se nuk është i nevojshëm bojkoti i Parlamentit dhe nevojën për ndryshimet në statut. "Lëvizja për mendimin ndryshe në PS ka në thelb modernizimin e PS-së ku momenti i parë është opozitë brenda institucioneve. Jo bojkot. Sot do ketë takim me publikun për të qartësuar qëndrimet që do ketë kjo lëvizje e cila nuk është personalizuar, por duhet maksimalizuar si PS duhet të modernizohet për një opozitë brenda institucioneve, bojkot ndaj bojkotit", tha Malaj. Starti i kësaj lëvizjeje u lajmërua dy ditë më parë nga Ben Blushi. "Partia Socialiste duhet të kthehet aty ku e ka vendin në Parlament. Çdo pozicion tjetër shkon në favor të qeverisë. Arsye për protesta ka gjithnjë, po jo duke dalë jashtë Parlamentit", u shpreh Blushi. I pyetur nëse lëvizja e tij brenda PS-së, që përkon me fushatën e Ramës për kryetar, është antifushatë ndaj kryetarit, Blushi u përgjigj se "Rama shkon në bazë si kandidat pa platformë, ndërsa ne kemi idenë për bashkimin e së majtës dhe të shkojmë në Parlament", tha Blushi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›