Manipulimet e procesit zgjedhor, shumë kuti 100 % për PD
Procesi zgjedhor nuk ka dështuar vetëm në fazën e numërimit të votave, por ai është vënë në dyshim që ditën e parë të zgjedhjeve. Kështu, gjatë ditës së votimeve, komisionerë dhe përfaqësues të PS në Shkodër, janë ankuar për kërcënime dhe presione nga më të ndryshmet. Ata kanë denoncuar raste të ndryshme, por në total procesi u duk sikur shkoi mirë. Hapja e kutive të votimit nxori në pah manipulime të shumta, të bëra në mënyrë tepër të dukshme. Në të paktën, tre raste janë evidentuar kuti votimi, ku rezultati ka qenë me zero.
Madje, në këto raste, procesverbalet e votave, si dhe firmat në regjistër, duket sikur janë hedhur nga një dorë e vetme. Dokumentet zyrtare të bëra publike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë se në KZAZ numër 42, qendra e votimit 186, rezultati është Partia Demokratike 93 vota, partia socialiste 0 vota. E njëjta gjë vihet re edhe në KZAZ numër 44. Në qendrën e votimit numër 38, Partia Demokratike ka marrë 153 vota kundrejt zero votave të Partisë Socialiste; në qendrën e votimit 75, PD-ja ka marrë 111 vota dhe PS sërish 0 vota. Kandidatët socialistë kanë denoncuar këtë fakt, duke thënë se gjithçka është e manipuluar dhe se situata nuk është aspak reale. Sipas tyre, kutitë janë mbushur nga militantë të PD-së dhe më pas komisionerët socialistë janë detyruar që të firmosin procesverbalet. Për këtë fakt, kandidatët socialistë kanë duke përpiluar një dosje të plotë, e cila do i vihet në dispozicion Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kolegjit Zgjedhor, por edhe prokurorisë. Sipas tyre, falsifikimi duket nga fakti që të gjitha janë firmosur nga e njëjta dorë dhe kjo do të vërtetohet nga organet kompetente. Përveç kutive me zero, zona e Shkodrës ka edhe shumë kuti të tjera, ku rezultati është tepër i dyshimtë, ndërsa skema e manipulimit pothuajse e njëjtë. Në KZAZ numër 42, qendra e votimit numër 191, Partia Demokratike ka marrë 116 vota, ndërsa Partia Socialiste vetëm dy. Në KZAZ numër 44 vihen re rezultate si 139 me 19 në favor të PD-së, apo edhe 148 me 7 sërish në favor të PD-së. Burime të Partisë Socialiste pohuan se janë në pritje të mbylljes së të gjithë procesit të numërimit për të marrë në dorë edhe materialet origjinale të votimit, ku dallohet i njëjti shkrim në të gjitha firmat e votuesve.