E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama i ofron deputetë Berishës për qeverinë e re, në këmbim të PS

Kryesocialisti kërkon pazare me kreun e PD. Berisha, pazare vetëm me subjekte, jo me individë 
Partia Socialiste përfshihet në kaos. Humbja e zgjedhjeve, tashmë ka vetëm një emër për socialistët dhe quhet Edi Rama. Në lojën gjithçka ose asgjë, Rama, si një politikan i katapultuar që ishte, i bëri llogaritë gabim nga të gjitha anët, çka solli humbjen e zgjedhjeve nga partia që ai përfaqësonte. Edhe pse kryesocialisti Rama nuk pranon publikisht humbjen e zgjedhjeve, socialistët e kanë kuptuar tashmë pozicionin e tyre.Do të bëjnë opozitë edhe gjatë 4 viteve të ardhshme. Thuhet se 4 vite në opozitë i bëjnë mirë një partie politike për tu ristrukturuar, riorganizuar, programuar, dhe aftësuar dhe përgatitur për të ardhur në pushtet gjatë mandatit tjetër qeverisës. Por për Partinë Socialiste, rezultati i zgjedhjeve parlamentare 2009, do të thotë që ajo do të ketë gjithë kohën e duhur për tu plakur në opozitë, duke qenë se i bëhen 8 vite pa ndërprerje në këtë status. Për të shpëtuar nga kjo situatë ku e zhyti të majtën, kreu i socialistëve, Edi Rama po përpiqet me çdo mënyrë të gjejë një justifikim të besueshëm para partisë së tij, për humbjen e zgjedhjeve. Në tentativë për të sjellë një arsye të fortë para socialistëve, Rama organizoi në Fier një rrëmujë, me pretendimin se po i vidheshin votat dhe mandatet, të cilat në të vërtetë nuk i sillnin asnjë dobi për batakun ku ishte zhytur. Mbrëmjen e së mërkurës, Rama u nis vetë drejt Fierit për të ndezur edhe më tepër gjakrat dhe demonstratën artificiale të simpatizantëve të PS. Por një telefonatë e shpejtë e ambasadorit amerikan Withers, e ktheu mbrapsht Ramën. Pas kësaj skene, Rama është vënë në kërkim të një tjetër formule.   
Rama ofron deputetët e tij drejt Berishës
Kryesocialisti Edi Rama tashmë ndodhet në krizë të plotë identiteti. Ka humbur zgjedhjet, por ka humbur edhe besimin e socialistëve të tij. Tashmë, që nuk ka asnjë shans për tu quajtur fitues, ai po përpiqet me çdo kusht që të shmangë sa më shumë pranimin e humbjes së thellë, pas shkatërrimit që i shkaktoi të majtës. Pas formulës së fabrikuar prej tij në bashkëpunim me Xhorxh Sorosin, Ilirjan Celibashin dhe përfaqësues të tjerë të PD që dëmtoi rëndë Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe partitë e tjera të vogla, ai po kërkon një tjetër formulë, por që sigurisht ashtu si e para edhe kjo do ti sjellë vetëm humbje dhe denigrim. Loja e Ramës kundër LSI, me në krye Ilir Metën, vazhdon me një tjetër episod i cili mund të jetë edhe i fundit por që sigurisht i dështuar. Bashkëpunimi edhe pas zgjedhjeve me Berishën, vetëm për të shkatërruar dhe fundosur Metën, është guri i vetëm që i ka mbetur në dorë Ramës për ta përdorur kundër tij. Edhe pse kryeministri aktual, Sali Berisha ka pohuar publikisht se nuk do të bëjë koalicion me asnjë individ por me subjekte politike, mësohet se Rama i ka ofruar atij disa deputetë socialistë, vetëm që ai të mos bashkohet me Metën. Nga ana tjetër, Rama mësohet ti ketë kërkuar kreut të LSI, Ilir Meta që të mos bëjë koalicion me Berishën. Kjo është loja e dyfishtë që ka menduar së fundmi Rama, në kurriz të LSI, por edhe për të shfajësuar veten përballë dështimit të tij në këto zgjedhje. Megjithatë kreu demokrat Berisha e ka bërë të qartë vendimin e tij. Ka vullnet pozitiv për koalicionin dhe ne jemi në frymën e kompromisit që kjo kërkon. Të dhënat flasin qartazi. Kështu që kjo mazhorancë aktuale i ka të gjitha numrat dhe me vullnetin e shprehur edhe nga deputeti Prifti që siç e keni dëgjuar publikisht, të cilin po e kërcënojnë, në mënyrat më të turpshme. Kërkohet koalicion i gjerë kur koalicionet e tjera nuk japin dot qeveri. Ndërsa vendi ka koalicione të tjera, të cilat mund të japin qeveri dhe fare stabël, ka nënvizuar Berisha, duke mos u lënë asnjë hapësirë hamendësimeve apo dëshirave të Ramës për transferime deputetësh.

Last Updated on Saturday, 04 July 2009 09:50

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›