E Diel, 1 Nëntor 2026

Manipulimi me pronësinë, sistem i ri mbrojtjeje antivjedhje

Pritet krijimi i Agjencisë së Planifikimit mbi territorin, nivelet kompetente. Përcaktohen kundërvajtjet dhe dënimet për “hajdutët” e pronave
Erald Kapri

Fotografimi ajror i vendit ka dhënë mundësinë e një informacioni të bollshëm për të ndaluar vjedhjen dhe manipulimin me pronësinë në shumë drejtime. Tashmë është hartuar nga Këshilli i Ministrave një sistem i ri mbrojtjeje, i cili parashikon mënyrat e ndërveprimit, krijimin e një agjencie kombëtare për planifikimin e territorit si dhe penalitetet administrative mbi punonjësit që tentojnë të bëjnë mbivendosje pronash. Kuadri i mbrojtjes parashikohet në një projektligj të ri, që titullohet “Për planifikimin territorial”, i cili është hartuar në bashkëpunim me ekspertë të huaj, i mbështetur në parimet ndërkombëtare si axhenda 21 e Kombeve të Bashkuara “Për zhvillim të qëndrueshëm”. Kuadri i ri administrativ do të hartojë dokumentacione në përputhje me dokumentet ndërkombëtare dhe europiane dhe duke lehtësuar bashkëpunimin midis politikave sektoriale, të cilat kanë impakt të konsiderueshëm në çështjet e planifikimit. Problematika shqiptare e krijuar gjatë tranzicionit me statusin e pronësisë dhe sidomos me abuzimet me pronësinë, pritet që t’u japë një zgjidhje procedurave të reja. Nga ana tjetër, është i nevojshëm përmirësimi i procedurave administrative që kanë të bëjnë me problemet e banimit, vështirësitë tregtare dhe industriale të tokës, duke qenë se janë rritur në mënyrë të ndjeshme kohët e fundit në të gjithë Shqipërinë si rezultat i shtimit të pronësisë private të pasurisë së paluajtshme, migrimit nga zonat rurale drejt zonave urbane, fluksit të madh të udhëtimit me mjete individuale dhe të përbashkëta, si dhe i ekonomisë në rritje me një sektor dinamik ndërtimi. Në këtë dinamizëm dhe lëvizshmërie ekonomike dhe tregtare bëhet i domosdoshëm krijimi dhe garantimi i instrumenteve dhe vënies nën kontroll të të gjithë zhvillimit në këtë fushë.
Sistemi i ri mbrojtës
Thelbi i sistemit të ri të planifikimit, i propozuar me projektligjin, konsiston në kalimin në sistemin planifikues gjithëpërfshirës, në përshtatjen me një sistem miks interesash kombëtarë e vendorë, publikë dhe privatë. Sistemi i hapur i vendimmarrjes, bazuar në bashkëpunim dhe mirëkuptim mes aktorëve dhe garanton të drejtën për pjesëmarrje në procesin e planifikimit. Është konsideruar se planifikimi do të ishte më i arritur nëse realizohet nga ai nivel i qeverisjes, i cili është më i ndjeshëm ndaj problematikës dhe mund të vlerësojë objektivisht nevojën për zhvillim. Dy janë nivelet e planifikimit, të pavarura me njëra-tjetrën, atë vendor dhe atë kombëtar, dhe parashikon autoritetet kompetente të planifikimit në çdo nivel si dhe shtrirjen e kompetencave të çdonjërit prej tyre. Gjithashtu, projektligji parashikon mundësinë për çdo autoritet planifikues të parashikuar në ligj, të delegimit të kompetencave të tyre të planifikimit me ligj apo të kontraktimit me një autoritet tjetër planifikues, nëpërmjet një marrëveshjeje që parashikon hollësisht kompetencat e detyrat që do të jenë objekt i delegimit ose kontraktimit, kohëzgjatjen si dhe parashikime të tjera në përputhje të plotë me Ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”.
Agjencia administruese
Agjencia Kombëtare e Planifikimit. Kështu do të quhet agjencia e re kombëtare, cila do të administrojë të gjithë këtë proces administrativ dhe informacionin. Ky autoritet do të sigurojë koordinimin horizontal të vendimeve të organeve të qeverisjes qendrore në lidhje me planifikimin, sigurimin e koordinimit vertikal të vendimeve të autoritetit kombëtar të planifikimit me autoritetet vendore të planifikimit. Autoriteti që merr jetë me këtë projektligj do të ketë si qëllim kryesor të saj sigurimin e të gjithë këtyre elementëve.

Kundërvajtjet dhe gjobat për zyrtarët abuzues me territorin

Projektligji i ri ka përcaktuar të gjitha dënimet dhe kundërvajtjet administrative në këtë proces dhe mund të thuhet që është më i rrepti. Mund të quhet më i rrepti për shkak se çdo shkelje e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj, kur nuk përbën vepër penale përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, sipas kufijve të përcaktuar. Në këtë mënyrë, për lëshimin e lejes zhvillimore apo certifikatës së përputhshmërisë në kundërshtim me këtë ligj, zyrtari shkaktar dënohet me gjobë nga 100 mijë lekë deri në 10% të vlerës në lekë të shpenzimeve që kryhen apo janë kryer sipas kërkesës përkatëse për zhvillim apo të vlerës së mospërputhjes. Gjithashtu, për çdo shkelje të kushteve të përcaktuara në lejen zhvillimore, zhvilluesi dënohet me një gjobë nga 1 milion lekë deri në vlerën e barabartë me më të madhen e dy vlerave pasuese ku përcakton 10 për qind të vlerës totale të shpenzimeve që do të kryhen sipas përcaktimeve të lejes zhvillimore ose 100 për qind të vlerës shtesë në lekë të shpenzimeve të punimeve jashtë atyre të përcaktuara në leje si dhe konfiskimin e tejkalimit në favor të autoritetit përgjegjës. Kryerja e veprimeve zhvilluese pa leje zhvillimore dënohet me gjobë nga 3 milionë lekë deri në vlerën maksimale, të barabartë me shpenzimet për të gjitha veprimet zhvilluese dhe konfiskimin e objektit në favor të autoritetit përgjegjës. Vendosja e gjobave do të bëhet nga çdo autoritet inspektues përgjegjës për çështjen dhe ose territorin ku kryhet shkelja sipas legjislacionit në fuqi. Gjoba arkëtohet në buxhet në masën 80 për qind dhe 20 për qind në favor të Agjencisë.

15 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›