E Diel, 1 Nëntor 2026

Manjani: “Berisha i gënjeu shqiptarët për Gërdecin, të japë dorëheqjen!”



Partia Socialiste kërkoi dje dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha. Sipas selisë rozë, Berisha jo vetëm i gënjeu shqiptarët për këtë tragjedi, por rezulton i implikuar thellë në këtë ngjarje korruptive. Kryetari i Komisionit të Ligjeve në PS, Ylli Manjani, tha se tragjedia jonatyrore e Gërdecit vazhdon të servirë prova të pakontestueshme për përfshirjen e Sali Berishës në aferën e trafikut dhe të korrupsionit. “Në emër të Partisë Socialiste i kërkojmë Sali Berishës të japë dorëheqjen si të vetmen zgjidhje që i ka mbetur për të çliruar shtetin nga pengmarrja, si dhe drejtësinë nga presioni.
Sali Berisha duhet të largohet nga çdo detyrë publike, sepse
gënjeu me paturpësi shqiptarët për mosdijeni për Gërdecin. Sepse Berisha ka marrë peng shtetin duke e vënë atë në shërbim të interesave të tij personale. Sepse duhet lejuar drejtësia të bëjë punën e saj”, - tha Manjani. Duke komentuar deklaratën e ministrit të Drejtësisë, Alibeaj, Manjani tha se në këtë rrëfim, ndoshta pa dashjen e tij, ministri i Drejtësisë zbuloi një të vërtetë të madhe edhe për dijeninë e kryeministrit të vendit. Të gjithë e mbajmë mend se si kryeministri përbetohej se "as që e dinte se ekzistonte Gërdeci". “Ish-drejtori i tij i antikorrupsionit na konfirmoi se kryeministri jo vetëm që ka pasur dijeni të plotë për Gërdecin, por ka drejtuar gjithçka nga zyra e tij. Në këtë kuadër, z. Alibeaj paska qenë ngarkuar të bëjë gati ligjet e trafikut që morën jetën e shqiptarëve të Gërdecit”, - tha Manjani.

Petro Koçi: “Socialistët e vërtetë duhet të dalin në mbrojtje të votës së lirë”

Kryetari i PS 91, Petro Koçi, i cili ka përshëndetur Konventën e Jashtëzakonshme të LSI-së, tha se socialistët e vërtetë janë kundër dhunimit të Kushtetutës dhe kundër grabitjes së votave të shqiptarëve. Koçi denoncoi marrëveshjen Rama-Berisha duke thënë se konsensusi i tyre po synon vjedhjen e votave në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Prapaskena politike është dëshmitare e një mirëkuptimi dypalësh, ku njëra palë garanton kontroll total mbi procesin dhe rezultatin fitues, kurse pala tjetër garanton monopolin politik në përfaqësimin e opozitës! Për inat të LSI-së dhe socialistëve ndryshe, Rama po shet opozitën, Kushtetutën, KQZ-në, ne dhe vetë zgjedhjet. Partia Socialiste 91 nuk e pranon këtë marrëveshje antidemokratike. Socialistët e vërtetë nuk kanë pranuar kurrë manipulimin e zgjedhjeve. Falsifikimi zgjedhor ka qenë dhe mbetet alternativë e Berishës dhe e vëllezërve të tij politikë”, - tha Koçi. Në Konventën e LSI-së ka folur edhe Kryetari i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, Artur Zheji, i cili deklaroi se pas dhunimit të Kushtetutës, dyshja Rama-Berisha është kthyer sërish në rrezik për demokracinë shqiptare, sepse po tentojnë të komplotojnë kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

4 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›