Manon Lescaut, magjia e dashurisë zbret në TKOB
Premiera
Dita e të dashuruarve, Shën Valentini, do të festohet edhe në Teatrin e Operës në Tiranë me një vepër të kompozuar nga Puccini. “Manon Lescaut”, nën dirigjimin e italianit Gianluca Martinenghi, sjell historinë e dashurisë së dy të rinjve
Dirigjenti Gianluca Martinenghi i është kthyer edhe një herë skenës operistike shqiptare. Pas “Madamme Butterfly” dhe “Lucia di Lammermoor”, ai ka marrë përsipër të sjellë një tjetër premierë të rëndësishme në TKOB. “Manon Lescaut” e kompozitorit të madh italian Giacomo Puccini, ajo që i fali atij famën ndërkombëtare do të vijë premierë në Shqipëri ditën e të dashuruarve, më 14 Shkurt. Dirigjenti italian, për të cilin bëhet fjalë për një vepër ndaj së cilës kujdesi duhet të jetë shumë i madh, “sepse është një opera të rrezikshme”, thotë se duhet shumë përkushtim e punë për të. “Manon Lescaut” është një vepër që të emocionon nga pasuria melodike, duke stimuluar kënaqësitë muzikore. “Ka një magji të padukshme tek ajo”, rrëfen dirigjenti i bindur se magjinë e muzikës së saj ka për ta ndier patjetër edhe publiku në sallë. “Manon Lescaut” vjen nën regjinë e Nikolin Gurakuqit, skenografi të Genc Shkodranit, mjeshtre kori Suzana Turku e asistent dirigjent Dritan Lumshi. Me këtë vepër, Shën Valentini, do të festohet edhe në Teatrin e Operës në Tiranë me një vepër të kompozuar nga Puccini. Ajo sjell historinë e dashurisë së dy të rinjve.
Z. Martinenghi, për ju nuk është hera e parë që vini në Shqipëri. Tashmë njiheni, jeni familjarizuar me skenën dhe artistët. Do të dirigjoni një tjetër opera premierë të Puccini-t. Më flisni pak më shumë për të.
Po, për mua është hera e tretë që vij në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Herën e parë erdha për “Madame Butterfly”, të dytën për “Lucia di Lammermoor” dhe tani vij për “Manon Lescaut”, që për mua është një prej titujve më impenjativë të repertorit operistik në mënyrë absolute. është një operë e Puccini-t, kur ishte ende një kompozitor i ri, edhe pse sigurisht një kompozitor me përmasa të mëdha. Përmes “Manon Lescaut” ai vjen ende shumë i lidhur pas disa traditave instrumentale. Në fakt është një operë shumë e vështirë për t’u interpretuar prej orkestrës, diku-diku me disa pjesë tejet klasike. Pjesa më e fortë dhe më tërheqëse te “Manon Lescaut” është se tek ajo gjenden situata të ndryshme muzikore. është një vepër tepër heterogjene dhe shumë e vështirë për të gjithë për t’u interpretuar, si për orkestrën, ashtu edhe për korin e solistët që kanë një pjesë shumë të vështirë, sidomos sopranoja dhe tenori, të cilët duhet të mbajnë të gjithë operën.
Sipas jush, çfarë ka të veçantë kjo operë. Si do të vijë te publiku ajo?
“Manon Lescaut” ka një muzikë të jashtëzakonshme. Kur e dëgjon të bën të dashurohesh menjëherë. Të duket sikur e ke dëgjuar edhe më parë këtë muzikë. Ka diçka magjike tek ajo. është një muzikë që të mbetet në kokë, në shpirt. Ka edhe intermexon më të bukur që mund të jetë shkruar ndonjëherë, ndaj them se është një operë që do ta godasë publikun, sidomos për bukurinë e saj.
E keni dirigjuar më parë “Manon Lescaut”?
Po, është një vepër që e njoh shumë mirë, por t’i rikthehem nuk bën asnjëherë keq. E kam sjellë në mënyra të ndryshme dhe them se duhet risjellë sepse të ndihmon të gjesh elemente të reja. Sa herë që dirigjon një vepër gjithnjë gjen elemente që duhen ose nuk duhen bërë. Zbulon gjithmonë diçka të re, kjo është e sigurt.
Ju e njihni më mirë, sepse e keni dirigjuar edhe më parë këtë vepër. Bëhet fjalë për një pjesë të vështirë?
është një vepër që kërkon të trajtohet me shumë kujdes. është shumë e rrezikshme si operë, tepër e vështirë për t’u interpretuar. Edhe në teatrot më të mëdhenj italianë bëjnë shumë kujdes për këtë vepër, duke u siguruar që këngëtarët e orkestra të jenë në lartësinë e duhur interpretuese. Secili duhet ta bëjë sa më mirë detyrën e vet, sepse bëhet fjalë për një vepër tepër delikate dhe të rrezikshme. Dhe në të vërtetë, sjellja e saj në skenën shqiptare ka qenë një ndërmarrje e vërtetë.
Nëse do të kishim parasysh edhe faktin se kemi të bëjmë me një premierë, a mendoni se solistët tanë, orkestra e kori janë në lartësinë e duhur për ta sjellë këtë vepër në skenë?
Absolutisht po. Janë shumë të zotët këngëtarët tuaj lirikë. Orkestra e kori janë mjaft të dhënë pas punës. Janë duke ngjitur në skenë një vepër të re dhe për këtë arsye janë më shumë të impenjuar.
E konsiderat një vepër të rrezikshme për nga vështirësia. Prisni suksesin, por nga ana tjetër mund të ndodhë edhe që të zhgënjeheni, apo jo?
Ndoshta, por unë mendoj se kemi për t’ia dalë shumë mirë së bashku, edhe pse duhet të bëjmë një sforcim më të madh.
Siç edhe e përmendëm pak më sipër, për ju nuk është hera e parë që vini në Tiranë. Me gjithë këto vajtje-ardhje si ju duket Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit?
është një teatër që e kam shumë për zemër. është një teatër i rëndësishëm, një teatër referimi në këtë zonë gjeografike. Ka cilësi shumë të mëdha njerëzore dhe më duhet të them se kur kanë dëshirë dhe kur janë të stimuluar nga shumë këndvështrime ndihet mes tyre një impenjim mjaft i madh profesional.
Cila është marrëdhënia juaj si dirigjent me veprën e Puccini-t si kompozitor?
Janë marrëdhënie shumë të mira. Jam duke u marrë shumë me Puccini-n këto kohë. Para një muaji kam dirigjuar “Toskën”, në muajin tetor, do të dirigjoj “La boheme” dhe muajin që vjen do të dirigjoj “Manon Lescaut” në Itali.
#