Zarfi i kuq do të ndryshojë gjithçka
Nëse mendoni se i keni parë të gjitha, gaboheni! S’keni parë ende asgjë! Siç e dini, është një zarf i kuq në studio që pret të hapet. Askush s’e ka idenë se ç’ndodhet brenda tij. çfarë po bluan në kokë “Vëllai i Madh”? çfarë do të ndodhë këtë të shtunë me banorët? Po me publikun? Këtë javë do të ndodhë diçka spektakolare, një ndryshim rrënjësor që ka për të ndryshuar totalisht jetën e banorëve të shtëpisë!
Spektakli i surprizave
Kanë kaluar tashmë tri javë nga fillimi i ‘reality show’-t më të famshëm në Shqipëri. Vëmendja është përqendruar nga ky spektakël dhe vazhdon të jetë po aq e fortë sa edhe ditën e parë. Por rrugëtimi sapo ka filluar. Janë me mijëra teleshikues që ndjekin çdo orë, çdo minutë e çdo sekondë atë që po ndodh me banorët e shtëpisë më të famshme të Shqipërisë në dy kanalet tashmë të njohura të “DigitAlb”. Ata kanë arritur të fitojnë zemrat e të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. “Vëllai i Madh” këtë vit i strehoi në një shtëpi ndryshe nga e zakonshmja, një shtëpi me kushte që i kishim harruar; një shtëpi që u komentua gjatë në opinionin publik. Por ka ende për të folur e komentuar, sepse “Big Brother”-i i vërtetë sapo ka filluar! Nëse mendoni se i keni parë të gjitha, gaboheni! S’keni parë ende asgjë! Siç e dini, është një zarf i kuq në studio që pret të hapet. Askush s’e ka idenë se ç’ndodhet brenda tij. çfarë po bluan në kokë “Vëllai i Madh”?
çfarë do të ndodhë këtë të shtunë me banorët? Po me publikun?
Tani për tani s’ju themi dot asgjë! Ajo që mund t’ju themi është se këtë javë do të ndodhë diçka spektakolare, një ndryshim rrënjësor që ka për të ndryshuar totalisht jetën e banorëve të shtëpisë! E shtuna po afron... Mos e humbisni në asnjë mënyrë!
Lidhje e vërtetë apo lojë?
Erioni, Jetmiri dhe Kika janë jashtë dhe po bisedojnë për deklaratën e Pamit ndaj Jetmirit. Erioni i thotë Mirit që ai e paska pëlqyer gjithë kohën Pamin dhe e ka mbajtur të fshehtë. Kika i thotë që ata po luajnë të dy, pasi janë në nominim dhe duan që të krijojnë situata për t’u bërë protagonistë. Jetmiri i thotë që ajo po kërkon vëmendje dhe ai po ia jep. Erioni e pyet duke qeshur se mos ka rënë në dashuri dhe ai i thotë që të tregojë për vete, pasi mund të jetë ai i dashuruar me mizën. Erioni i përgjigjet se nuk është e vërtetë. Ajo i pëlqen, por nuk është momenti i duhur për të krijuar lidhje. Ai shton se atij nuk do t’i pëlqente që të niste diçka në shtëpi dhe të përfundonte menjëherë jashtë. Erioni thotë se do t’i shohë gjërat më me qetësi kur të dalin.
“Jetmirit i ulet hunda”
Pasi mbarojnë drekën, disa nga banorët shkojnë të ulen te kolltukët dhe bisedojnë përsëri, ndërsa Seldi me Domenikën shkojnë në dhomën e gjumit dhe flasin për Jetmirin. Ata thonë se Jetmiri nuk është i zgjuar dhe nuk di të debatojë, por të thotë vetëm “unë”. Në këtë moment në dhomë vjen Kika dhe Seldi i thotë: “Kika e di për ça po më pëlqen ky Renato? Se ia ka ulur hundën Jetmirit”. Ndërsa Kika thotë se kjo nuk është çështje hunde, por Renato i argumenton mendimet e tij, ndërsa Miri thjesht thotë atë që mendon. Pas pak aty vjen edhe Renato dhe Seldi teksa e fton në bisedë i thotë: “Bravo, ia ule hundën Jetmirit”, por Renato mundohet të argumentojë sjelljen e tij në debat, pa thënë asgjë për Jetmirin. Kështu ata bisedojnë për diturinë dhe injorancën, por pa përmendur më Jetmirin.
Dhuratat
Teksa banorët janë të gjithë brenda në shtëpi, lajmërohen se jashtë në magazinë kanë ardhur dhuratat e fituara nga Eduardi natën e spektaklit. Përkatësisht Edi fitoi një lavatriçe, disa jorganë dhe një frigorifer. Banorët shkojnë të gjithë në magazinë dhe shpejtojnë t’i sistemojnë dhuratat brenda në shtëpi. Ndërsa djemtë merren me sistemimin e lavatriçes dhe frigoriferit, vajzat shkojnë në dhomën e gjumit dhe fillojnë të nxjerrin rrobat e palara. Ndërsa marrin dhuratat, disa nga banorët ulen te kolltukët dhe bisedojnë. Graciela debaton me Jetmirin për fyerjet. Kur morën lajmin e dhuratave Graciela i kishte thënë Mirit se po shkonte edhe ajo të shihte dhuratat, sepse ato ishin më të rëndësishme se sa biseda e tyre. Kjo gjë kishte bërë që Miri të ndihej i ofenduar dhe ai ia thotë Gracias këtë. Vajza nga ana tjetër i thotë se është pikërisht ai që fyen dhe jo ajo. Sipas saj, fjalët që përdor Jetmiri me ose pa dashje mund të prekin çdo njeri.
Edi shpërndan dhuratat
Eduardi shpërndan dhuratat dhe për këtë ai bën një short me letër me vrimë, ku marrin pjesë vetëm vajzat. Nga shorti, letra për të marrë një jorgan i bie Bertinës, ndërsa letra për të marrë një batanije i bie Gracielës. Ndërsa si dhuratë për ditëlindje Edi i dhuron Pamelës një batanije. Graciela në bisedë e sipër u tregon banorëve të tjerë për debatin e saj me Jetmirin. Ajo i tregon Mirit se i kishte ardhur keq nga fjalët e saj. Megjithëse ajo flet për sjelljen e gabuar të Mirit, Graciela thekson se ajo ka respekt për të, por Miri nuk vepron në mënyrë të matur.
Debati Jetmir-Pamela
Miri dhe Pamela janë ulur te kolltukët dhe bisedojnë me njëri-tjetrin. Jetmiri pyet Pamelën se çfarë mendon ajo për të. “Më thuaj troç, çfarë mendimi ke ti për mua. Ma thuaj dhe unë do të them se çfarë mendoj unë për ty”, i thotë ai. Kështu Pamela i thotë se mendon se Jetmiri është i dashuruar me veten e vet, gjë që ia kishte thënë edhe një ditë më parë dhe se e gjithë bota rrotullohet rreth tij. “Je komplet i fokusuar te vetja jote”, vazhdon ajo. Jetmiri, sipas saj, nuk e vret mendjen nëse të tjerët lëndohen apo jo. Ai fillon të justifikojë veten duke thënë se ai është i tillë. Jetmiri i thotë Pamit se ku e gjen ajo të drejtën që ta paragjykojë atë me kaq siguri. Ai i thotë që koha dhe rrethanat në të cilat ndodhen nuk lënë hapësira për njohje që të çojnë në gjykime. Ndërsa Pami i thotë se ajo nuk vë re vetëm sjelljen e tij ndaj saj, por sheh gjithçka që ai bën, por edhe se si vepron me banorët e tjerë.
Ndjenjat e Jetmirit
Jetmiri ka shkuar në dhomën e gjumit dhe i shtrirë në krevatin e tij po rri vetëm. Bertina ulet pranë tij dhe fillon ta pyesë se çfarë bisede po bënte ai me Pamelën në oborr. Miri i thotë se donte të provonte se deri ku mund të shkojë Pamela. Bertina, teksa thekson se Pamela është vajzë e zgjuar, i thotë Mirit se ai ndien diçka për Pamelën. Miri e mohon këtë, por Bertina thotë se kjo gjë është shumë e dukshme. Ata të dy bisedojnë edhe për të tjera gjëra. Bertina e pyet Mirin se si e do ai një femër. Ai i përgjigjet që te një femër vlerëson inteligjencën dhe shpirtin, jo pamjen e jashtme. “Unë dua një femër me karakter të fortë”, vazhdon më tej ai.
Emocionet e para dhe situata e krijuar
Renato bisedon me Bertinën për natën e parë të spektaklit dhe për fatin e Bertinës, e cila priti vendimin e djemve për ta larguar e më pas vendimin e publikut për ta rikthyer sërish në lojë. Bertina ndan me të emocionet e asaj nate dhe tregon se zemra i thoshte se mund të ishte veç një lojë dhe diçka e shtynte të mendonte se do të kthehej. Renato thotë se edhe ai si publiku, mendonte se do të kthehej sërish. Bertina vazhdon të tregojë për gjendjen e saj kur shkonte drejt studios dhe kuraja që i jepte vetes, duke menduar se ishte veç një lojë dhe aq duhej të zgjaste për të. Biseda e dy të rinjve ndryshon kur ata flasin edhe për ditët e para të qëndrimit në shtëpi, ku Bertina tregon se u ambientuan menjëherë me njëri-tjetrin e kjo ishte një veçori e këtij edicioni, por si rezultat i këtij afrimi ndodhën shpejt edhe përçarjet mes tyre. Renato mendon se kjo është pjesë e lojës dhe se herët a vonë do ndodhte, por Bertina insiston se çdo gjë ndodhi shumë shpejt. “Nuk duhej të ndodhte dhe afrimi, dhe loja, dhe intriga apo smira kaq shpejt”, shprehet ajo me keqardhje për situatën e krijuar në shtëpi. Renato e pohon këtë mendim të saj dhe shton se as publiku nuk arriti t’i njihte mirë karakteret dhe vlerat e çdo banori pikërisht nga kjo gjë.
Seldi dhe Domenika për Pamelën
Seldi dhe Domenika diskutojnë për fillimet e njohjes së tyre. Seldi e pyet edhe për “lidhjen” e tij me Pamelën. Domenika thotë se e çudiste fakti që ai rrinte, qeshte dhe luante gjatë gjithë kohës me të, ndërkohë që më pas lidhet me Pamelën. Seldi i përsërit për të disatën herë se atë e kishte pëlqyer që ditën e parë, por me Pamelën nisi si një lojë që ajo t’u largohej talljeve të Jetmirit dhe Erionit. Domenika shprehet se Pamela mund t’ua kishte bërë të qartë djemve shkurt dhe nuk ishte e nevojshme gjithë kjo lojë, por Seldi thotë se Pamela ishte nën presion. “Duhej t’ua kishte kthyer që në fillim se as të njohin e as i njeh”, insiston Domi, gjë që edhe Seldi tregon se e ka menduar, por shton se Pamelës i iku situata nga duart ndaj nuk po dinte si të sillej me ta. Domenika dënon edhe sjelljet e dy djemve dhe thotë se ata nuk duhej të ishin kapur ashtu me të, pasi në radhë të parë e tepruan dhe së dyti, sepse është femër. “Ashtu mund të kapen me një djalë, ndërsa Pamela është më e mirë se ç’duhet ndaj s’ua kthen”, thotë ajo. Domenika përpiqet të justifikojë sjelljen e Pamelës, duke thënë se ishte ende fillimi dhe se ajo nuk donte të rëndonte situatën.
#