Trashëgimia kulturore, në funksion të turizmit
Takimi
Xhaferraj pret Joseph C. Williams, drejtuesin e ri të USAID për Shqipërinë
Ferdinand Xhaferraj, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, priti dje Joseph C. Williams, drejtorin e sapoemëruar të USAID (Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar). Gjatë takimit, Williams vlerësoi potencialet turistike që ka një vend si Shqipëria. Për përfaqësuesin e Agjencisë për Zhvillimin Ndërkombëtar, promovimi i imazhit të Shqipërisë është gjithashtu një fushë e rëndësishme përmes së cilës Shqipëria mund të paraqitet si një vend me potenciale të mëdha turistike dhe të trashëgimisë kulturore. Nga ana e tij, Xhaferraj nënvizoi faktin se është tashmë koha për t’i dhënë një dimension të ri bashkëpunimit dhe përdorimit të potencialeve kulturore në shërbim të turizmit. Sipas tij, turizmi duhet të marrë të gjitha përmasat e një industrie të vërtetë, por njëkohësisht të zgjerojë fokusin e tij, duke shtuar elementët e turizmit kulturor, duke marrë në konsideratë potencialet e mëdha të trashëgimisë kulturore që ka vendi ynë. Ministri i Kulturës tha ndër të tjera se struktura si Komiteti Këshillimor i Sektorit Privat të Turizmit ka një rëndësi të veçantë për MTKRS, si një formalizim i marrëdhënieve dhe bashkëpunimi mes sektorit privat dhe publik, i cili me aktivitetin e tij, ka si qëllim sigurimin e së gjithë mbështetjes që institucioni jep në kuadër të implementimit të Strategjisë Kombëtare të Turizmit, Planit të saj të Veprimit etj.
#