E Diel, 1 Nëntor 2026

Manzë, Klosi: “Qeveria e braktisi totalisht fshatin”



Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit, Blendi Klosi, gjatë takimit elektoral me banorë të Manzës, tha se Shqipëria sot është shumë herë më e varfër se në vitin 2005, pavarësisht rritjes së rrogave dhe pensioneve. Sipas Klosit, çmimet e ushqimeve apo energjisë, janë rritur disa herë më shumë dhe kjo ka sjellë varfërim jo vetëm të banorëve në qarkun e Durrësit, por në të gjithë Shqipërinë. Ai tha se qeveria aktuale e braktisi totalisht fshatin. Klosi u ka kërkuar të pranishmëve, të bashkojnë votat me Partinë Socialiste, si forcën që do të ndryshoj të ardhmen e vendit pas 28 qershorit: “Është e turpshme e pafalshme, që në qytetet tona të shiten prodhime që vijnë nga Maqedonia e Mali i Zi dhe të mos shiten prodhime e njerëzve e bujqve të kësaj krahine, të cilët kanë bërë një punë të shkëlqyer për bujqësinë, por që nga shteti asnjëherë nuk kanë gjetur mbrojtje”, - u shpreh Klosi.

Fier, Ruçi: “Do të garantojmë statusin e ish-ushtarakëve”

Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Gramoz Ruçi, është takuar me ish-ushtarakë, në kuadër të prezantimit të programit të ri qeverisës. Ruçi ka premtuar se me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste të gjithë ish-ushtarakët, ata në lirim apo reformë, do të fitojnë statutin e tyre. Ndërsa në takimin me banorë të lagjes “1 Maji” dhe në lagjen “Sheq i vogël”, Ruçi tha se Berisha po ndjek një politikë të bajate, pasi Edi Rama është në krye të betejës elektorale. Ai u ka kërkuar të gjithë të pranishmëve ta nxjerrin në pension me votën e tyre Sali Berishën: “A ka fushë betejë më të madhe sesa t’i thuash popullit, o popull unë Kryetari i PS, kandidoj me një program, kandidoj me një alternativë dhe kandidoj për një portofol, atë të kryeministrit të vendit, që do të qeverisë Shqipërinë në 4 vjet dhe në fletën e votimit do të jetë partia ime, emri im dhe përballë rivalit Sali Berisha?!”.

11 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›