E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Rama, të gjitha batutat e shkëmbyera në distancë

Rivalët politikë zëvendësojnë akuzat e ashpra me batuta dhe gjetje metaforike. Çfarë kanë thënë për njëri-tjetrin Rama dhe Berisha gjatë takimeve të tyre elektorale

Shaban Sulçe

Kryeministri Sali Berisha dhe lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama, në këto 14 ditë, që nga fillimi i fushatës elektorale, kanë kursyer akuzat e ashpra dhe fjalorin e rëndë politik, megjithatë, të dy liderët nuk kanë ngurruar që të shkëmbejnë replika dhe batuta në distancë ndaj njëri-tjetrit. Në çdo takim të zhvilluar me elektoratin dhe simpatizantët e tyre, dy rivalët politikë shpeshherë janë parë që të atakojnë njëri-tjetrin me batuta, duke e kthyer fushatën e tyre elektorale në një dialog ndërpersonal midis tyre. Batutat apo gjetjet metaforike shpeshherë kanë shkaktuar të qeshura në radhët e pjesëmarrësve në mitingjet e Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste.

Berisha
I pari që ka nisur “lojën” ka qenë kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit, në takimet elektorale të zhvilluara, ka atakuar shpeshherë me batuta kryesocialistin Edi Rama. Berisha e ka sulmuar rivalin e tij kryesisht në vendimin e Ramës për të mos qenë në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në këto zgjedhje. Madje këtë sulm Berisha e ka ndërthurur edhe me këngën elektorale të PS-së. Gjatë takimit në Durrës, kryeministri Berisha iu drejtua Ramës duke thënë: “I them Edi Ramës, se meqë më fton që të çohem, jam në këmbë dhe po pres të përballem me ty, porse ti nuk e ke vendosur emrin në listë”. Kundërpërgjigjja e Ramës do të vinte menjëherë nga Korça ku kryesocialisti deklaronte: “Thirrja ‘Çohu’ nuk i drejtohet Sali Berishës, por të gjithë shqiptarëve që janë të lodhur nga qeverisja e tij”. Më tej kryeministri Berisha do të sulmonte sërish duke deklaruar: “Asnjë gjeneral nuk e dërgon ushtrinë e tij në luftë pa qenë vetë në krye të saj”. Batutave të kryeministrit Berisha për vendimin për të mos u futur në listë, Rama do t’u përgjigjej nga Kombinati: “Sali Berisha më bën thirrje të bëj trimërinë që të fus emrin të parin në listën e deputetëve dhe t’i braktis qytetarët e Tiranës. Por unë i them kryeplakut të politikës së vjetër se karrigia e deputetit mund t’i duhet atij që do të jetë në opozitë, ndërsa mua nuk më duhet një mandat për të ndenjur ulur, po një mandat për të qenë në këmbë, në krye të transformimit të madh, në çdo qytet e fshat”.

Rama

Gjatë një takimi të zhvilluar në Tregun Çam në kryeqytet, kryeministri Berisha akuzonte Bashkinë e Tiranës për rritje të taksave, ndërkohë që batuta e tij në drejtim të Ramës ishte: “Do t’ia vë kufirin te thana”. Kryesocialisti Edi Rama do t’i përgjigjej këtij sulmi duke i thënë Berishës: “Duke hedhur baltë mbi Bashkinë e Tiranës e ke marrë tri herë përgjigjen dhe se tashmë duhet të bëhesh gati edhe për përgjigjen që do të marrësh më 28 qershor”. Por Berisha do ta përshkallëzonte sulmin duke i thënë Ramës: “Në 2007-n fitove me anë të certifikatave”.
Midis Berishës dhe Ramës nuk kanë munguar as batutat që kanë të bëjnë me personazhet e regjimit komunist. Kryeministri Berisha, në takimin e zhvilluar në Lezhë, i drejtohej Ramës duke i thënë se do të humbte më thellë se Ramiz Alia në vitin 1992. Ndërkohë, kryesocialisti Rama, në takimin e zhvilluar në Shkodër, si enverist të djeshëm. Për t’u shënuar edhe batuta më e fundit e kryesocialistit Edi Rama, në takimin e zhvilluar në Krujë, drejtuar kryeministrit Berisha, të cilin e ftonte që të shkonte në Tropojë. Kësaj batute kryeministri Berisha nuk i është përgjigjur ende.

11 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›