Presidenti Topi dekoroi z. Grosruk një vit më parë
Zoti Volfgang Grosruk ka marrë vlerësimet maksimale nga shteti shqiptar pikërisht një vit para se të zhvillohen zgjedhjet e 2009-s. Burimet zyrtare të Presidencës pohojnë se zoti Bamir Topi e ka dekoruar z. Grosruk me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Urdhri ka këtë motivacion: "Për kontribut të veçantë dhe shumë të rëndësishëm në zhvillimin dhe mbështetjen e demokracisë në Shqipëri”. Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, diplomati austriak, njihet më shumë në pozicionin e drejtuesit vendor dhe vëzhguesit të proceseve zgjedhore në disa vende që janë anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Sigurinë në Europë. Po ashtu, ai ka marrë pjesë në proceset monitoruese të zgjedhjeve në Maqedoni, Serbi, Kroaci apo edhe Shqipëri.
Grosruk, pjesëmarrës në Kongresin elektoral të PD-së në vitin 2005
Volfgang Grosruk ishte i ftuari preferencial i zotit Berisha në Kongresin elektoral që PD-ja organizoi në pranverën e vitit 2005, në prag të zgjedhjeve të 2 korrikut. Nuk është e vështirë të gjesh një ekstrakt të fjalës së tij me atë rast. Aq më pak e vështirë është të kuptosh se cilat janë pikëpamjet e këtij deputeti austriak për zhvillimet në Shqipëri dhe me çfarë syzesh i sheh ai ato që të tjerë europianë si ai i kanë konsideruar krejt ndryshe. Ja një përmbledhje e përshëndetjes së Grosrukut:
“I dashur mik, zoti Berisha,
Do të doja gjithashtu të thosha të dashur miq nga Partia Demokratike e Shqipërisë. Jam shumë i kënaqur që jam këtu për të marrë pjesë në Kongresin tuaj dhe siç e dini, kam ardhur disa herë në Shqipëri. Për herë të parë erdha para 10 vitesh dhe pashë me sytë e mi rrugën e suksesshme të Partisë Demokratike, zgjedhjet e vitit 1996. Më ka bërë shumë përshtypje fitorja juaj. Po siç e dini ngjarjen, ish-komunistët erdhën përsëri në pushtet, por pas një dimri të gjatë do të vijë përsëri fitorja. Jam i bindur dhe shpresoj që zgjedhjet në qershor apo në korrik do të sjellin përsëri pranverën në fushën politike të Shqipërisë. Në zgjedhjet e kaluara të vitit 1996 ju patët parullën ‘Me ne fitojnë të gjithë’ dhe tani ju keni parullën ‘Erdhi koha për ndryshim’. Jemi të bindur se është tamam koha për të bërë ndryshim”.
11 Qershor 2009