E Diel, 1 Nëntor 2026

Kostoja për procesin e monitorimit të zgjedhjeve të 28 qershorit

Miliona euro për ekipet e monitorimit dhe pajisjet për vëzhgimin. Shpenzimet për monitorimet janë më të kushtueshmet e 18 viteve të fundit

Albert Gjoka

Zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë më të kushtueshmet financiarisht, ku një pjesë e konsiderueshme fondesh do të shpenzohet për realizimin e monitorimit. Me miliona euro do të harxhohen qoftë për vëzhguesit shqiptarë dhe të huaj, qoftë për sistemet e vëzhgimit që do të instalohen nëpër qendrat e votimit. Gazeta ka bërë një përllogaritje për koston e monitorimit të procesit, në të cilin do të marrin pjesë rreth 3740 vëzhgues shqiptarë dhe të huaj, që do të harxhojnë mbi 900 mijë euro brenda një periudhe të shkurtër. Pjesën më të konsiderueshme e zënë financimet për sistemet e monitorimeve që do të realizojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, apo edhe organizatat e ndryshme, të cilat financohen nga donatorët. Shpenzimet për vëzhguesit dhe logjistikën monitoruese arrin mbi 2.6 milionë euro.
Monitoruesit
Këto zgjedhje shënojnë numrin më të lartë të vëzhguesve që janë parë ndonjëherë në Shqipëri; mbi 440 vëzhgues të huaj dhe mbi 2900 vëzhgues vendas do të ndjekin proceset përgatitore, ditën e votimit dhe numërimin e votave. Sipas kalkulimeve që ka bërë gazeta rezulton se shuma e parave që do të përdoret për stafet që do të monitorojnë zgjedhjet do t’i kalojë 900 mijë eurot. Peshën më të madhe e zënë vëzhguesit e huaj, të cilët paguhen 250 euro në ditë. Ndërsa vëzhguesit shqiptarë paguhen disa herë më pak. Shuma arrin nga 15 – 35 euro në ditë. Po ashtu, kostoja e procesit shtohet edhe për infrastrukturën ndihmëse; pra për përkthyesit që do t’u shërbejnë mbi 400 monitoruesve të huaj, shoferë etj.
Teknologjia
Këtë vit, në ndryshim nga herët e tjera, peshën më të madhe do ta zërë ngritja e infrastrukturës për monitorimin e zgjedhjeve përmes kamerave dhe mjeteve të tjera. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi një fond prej 1.5 milionë eurosh për blerjen e kamerave dhe pajisjeve të tjera që do të monitorojnë dhe regjistrojnë të gjithë procesin e numërimit të votave. Kjo praktikë përdoret për herë të parë dhe është tejet e kushtueshme. Pjesë e kostos janë edhe instalimet e pajisjeve dhe mbështetja teknike. Por, për logjistikën që do të përdoret në procesin e monitorimit do të investojnë edhe organizatat e ndryshme. USAID-i ka financiar dy shoqata, “ECA” dhe “KRIIK”, të cilat kanë ngritur një sistem të mbledhjes së të dhënave, i pavarur nga KQZ-ja, i cili transmeton rezultatet nga 66 qendrat e votimit direkt në qendër. Kostoja e këtij projekti rezulton të jetë shumë e madhe.
Në koston e shpenzimeve nuk janë përllogaritur fondet që do të harxhojnë mediat për mbulimin e zonave me transmetimet direkte, apo edhe të dhëna të tjera që kanë të bëjnë me infrastrukturën ndihmëse që do të përdorë KQZ-ja apo misionet e OSBE-së dhe ODIHR-it.
Një gjë është e qartë; këto zgjedhje do të listohen si më të kushtueshmet dhe kjo për shkak të standardeve të ulëta të demokracisë dhe nivelit të lartë të mosbesimit në procesin e votimit.

KQZ-ja, 1.5 milionë euro për sistemin e kamerave

Pak ditë më parë përfundoi sistemi i vendosjes së kamerave të Vendit të Numërimit të Votave (VNV) në Tiranë. Në të gjithë vendin do të ketë 66 të tilla, të cilat do të transmetojnë në kohë procesin e numërimit dhe shpalljes së rezultateve. Kreu i KQZ-së, Ristani, ishte te qendra në Tiranë, e cila është vendosur në palestrën e shkollës "Hasan Prishtina". Një sistem kamerash i instaluar në palestrën e shkollës "Hasan Prishtina" në kryeqytet paraqet pamje të qarta nga 5 tavolinat e vendosura në sallë për numërimin e votave. Ndërsa në ekrane të posaçme televizive vëzhguesit kanë mundësi të ndjekin fletë pas flete mënyrën e votimit. Të gjitha pamjet e përftuara nga kamera qendrore 360 gradë do të ndiqen direkt nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe kështu mund të mbahen në kontroll 66 VNV-të në gjithë Shqipërinë. Sipas kreut të KQZ-së, Ristani, "ky projekt siguron një transparencë maksimale, si dhe bën të mundur marrjen në kohë të rezultateve nga të 66 VNV-të. Nga ana tjetër, në çdo VNV do të sigurohet një vend i mjaftueshëm për vëzhguesit, të cilët do të mund të ndjekin nëpërmjet ekranit mënyrën se si është votuar.

KOSTOJA PËR MONITORUESIT

Nr Monitoruesit Numri Shuma ditore Total(ditë) Shuma (EURO)
1 Misioni i ODIHR 14 250 60 ditë 210 000
2 Vëzhguesit afatgjatë të OSBE/ODIHR 26 250 euro 60 ditë 390 000
3 Vëzhguesit afatshkurtër të OSBE-së 400 250 euro 2 ditë 200 000
4 Përkthyes dhe shoferë 400 50 euro 2 ditë 40 000
5 ECA dhe KRIIK vëzhgues për numërim 450 30 euro 2 ditë 27 000
6 Vëzhguesit e procesit të pavarur 2500 15 euro 1 ditë 37 500
TOTALI 3740 persona 904 000 euro

Kostoja e kamerave për ditën e numërimit 1 500 000 euro
Kostoja e sistemit të grumbullimit të të dhënave te vëzhguesit 100 000 euro

“ECA” dhe “KRIIK” shpallin direkt rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit

Për herë të dytë organizatat e shoqërisë civile do të shpallin njëherësh me KQZ-në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Agjencia për Administrimin e Zgjedhjeve (ECA) në bashkëpunim me organizatën “KRIIK Albania”, do të realizojë projektin "Rezultatet direkte të zgjedhjeve", gjatë mbajtjes së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të datës 28 qershor 2009. Nga 66 qendrat e numërimit të votave, ekipet e këtyre dy organizatave do të punojnë me tri turne, deri në momentin e shpalljes së rezultateve. Në procesin e monitorimit marrin pjesë 450 vëzhgues. “Projekti ka si qëllim rritjen e transparencës në procesin e numërimit të votave dhe garantimin e një besimi më të madh të publikut në këtë proces. Ai nuk synon zëvendësimin dhe/ose mbivendosjen me institucionet përkatëse shqiptare, të cilat janë përgjegjëse për përgatitjen, zhvillimin, administrimin dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve”, - thonë drejtuesit e dy organizatave. I gjithë ky projekt është financuar nga USAID-i.

TË DHËNAT E MONITORIMIT TË OSBE-së

ZGJEDHJET PARLAMENTARE TË 28 QERSHORIT 2009
440 vëzhgues

ZGJEDHJET LOKALE TË 17 SHKURTIT 2007
431 vëzhgues

ZGJEDHJET PARLAMENTARE TË 3 KORRIKUT 2005
448 vëzhgues

ZGJEDHJET LOKALE TË 12 TETORIT 2003
280 vëzhgues

ZGJEDHJET PARLAMENTARE TË 24 QERSHORIT 2001
278 vëzhgues

ZGJEDHJET LOKALE TË 1 TETORIT 2000
173 vëzhgues

ZGJEDHJET PARLAMENTARE TË 29 QERSHORIT 1997
500 vëzhgues

ZGJEDHJET LOKALE TË 1 TETORIT 1996
Rreth 60 vëzhgues

11 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›