E Diel, 1 Nëntor 2026

Grosruk dhe Glover, deklarata të ndryshme për infrastrukturën zgjedhore



Shefja e misionit të ODIHR-it, ambasadorja Glover, ka deklaruar se ka probleme me infrastrukturën zgjedhore dhe është ndaluar konkretisht te pajisja e qytetarëve me dokumente identiteti, të cilat i lejojnë ata që të votojnë më 28 qershor. Një fakt i tillë është pohuar edhe në dy raportet paraprake të përgatitura nga misioni. Përkundër një përcaktimi të tillë, zoti Grosruk u shpreh me nota vlerësuese për infrastrukturën zgjedhore në takimin me ministrin e Brendshëm, zotin Bujar Nishani, duke e konsideruar të shkëlqyeshme. “Koordinatori special i OSBE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, z. Volfgang Grosruk, u shpreh se nuk ka asnjë dyshim se për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore është bërë një punë e shkëlqyer dhe profesionale dhe sugjeroi nga ana tjetër që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë ligjore për të forcuar klimën e besimit mes forcave politike për organizimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe duke përmbushur standardet ndërkombëtare”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Brendshme për takimin që zoti Nishani zhvilloi dy ditë më parë.
Ndërkaq, misioni i ODIHR-it, në raportin paraprak, thotë se do të mbeten pa karta identiteti ata që nuk lëvizin dot për shkak se nuk ka qendra të lëvizshme për aplikimin e kartave. Duke iu referuar të dhënave të qeverisë, ODIHR-i jep gjendjen e aplikimeve dhe prodhimit. Ndërkaq citon edhe pretendimet e opozitës dhe kallëzimin që bëri më 1 qershor. Po ashtu, ekspertët e misionit pohojnë problemet që ka nxjerrë qeveria në disa rrethe në lidhje me kompensimin e shtetasve për çmimin e kartave të identitetit.
Edhe 13 vjet më parë, zoti Grosruk doli kundër raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 26 majit, të firmosur nga ambasadorja britanike, Odrei Glover. “Më duhet të them se zgjedhjet (e 26 majit, shën. ynë) ishin cilësore dhe korrekte”, - deklaronte Grosruk në konferencën e tij të shtypit menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 1996, i cituar nga agjencia britanike “Rojter”. Ndërsa ekipi prej 50 vëzhguesve të huaj të ODIHR-it, që ishte në terren, paraqiste me nota tejet kritike të gjithë procesin dhe momentin e votimeve. Asnjë proces zgjedhor në Shqipëri nuk ka pasur vlerësime kaq negative. Kësaj radhe le të shpresojmë që zonja Glover dhe zoti Grosruk do të jenë në një mendje për standardet e zgjedhjeve të 28 qershorit.

11 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›