E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehen incidentet, dhunohet zyra elektorale e PS-së dhe çadra elektorale e G99-s



Dita e djeshme ka shënuar sërish të tjera incidente, të cilat kanë ndodhur në Shkodër, Tiranë dhe në Korçë. Kështu, në fshatin Vashtmi të rrethit të Korçës është dhunuar zyra elektorale e Partisë Socialiste. Sipas informacioneve paraprake mësohet se autore është “banda e 5 dyqaneve”, e cila ka thyer xhamat e zyrës duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Kjo është hera e tretë që sulmohet zyra elektorale e Partisë Socialiste në këtë fshat. Ndërkohë Bashkia e Shkodrës ka urdhëruar heqjen e çadrës elektorale të G99-s si dhe gjobitjen e kësaj partie. Kandidati i G99-s në qarkun e Shkodrës, Roland Ilia, akuzoi Bashkinë e këtij qyteti se kishte vendosur një gjobë politike. Një tjetër incident është shënuar gjatë ditës së djeshme në Tiranë. Persona të veshur civilë dhunuan disa aktivistë të G99-s të vendosur në një tendë në Njësinë Bashkiake Nr. 3 të Tiranës. Teksa aktivistët e G99-s po shpërndanin informacion rreth punës dhe aktivitetit të tyre, një prej personave është afruar dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj një prej këtyre aktivistëve, i cili më pas ka njoftuar organet e policisë. G99-a paraqiti dje në Komisariatin Nr. 4 në Tiranë një padi për këtë ngjarje. I menjëhershëm ishte reagimi i kreut të G99-s Erion Veliaj. Në një konferencë për shtyp, duke falënderuar dhe duke u dhënë kurajë aktivistëve të G99-s, Veliaj tha se kryeministrin Sali Berisha e ka kapur një panik i madh prej rritjes së kësaj force politike. “Unë e kuptoj që Sali Berishën e ka kapur një panik i madh, por dua t’i kujtoj atij që është pikërisht kjo e drejta e fjalës së lirë për të cilën ne luftuam në ‘91-shin, është kjo e njëjta e drejtë e fjalës së lirë për të cilën luftojmë edhe sot. Është e drejta jonë të mos e pëlqejmë këtë kryeministër e mos ta duam qeverinë e Gërdecit, por ky lloj presioni dhe kjo lloj dhune nuk mund të na mohojnë të drejtën e fjalës e të shprehjes së lirë”, - tha Veliaj.

11 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›