E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia vjel 20 milionë lekë nga gjobat

Policia e Tiranës ka vjelë plot 20 milionë lekë të vjetra nga gjobat e vendosura vetëm në 24 orët e fundit. "Shërbimet e Policisë së Tiranës, po vazhdojnë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore.

Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj.", thuhet në njoftimin e policisë, e cila vazhdon se kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës. "Vetëm në një ditë në Qarkun e Tiranës nga shërbimet e Policisë janë konstatuar dhe vendosur 1429 gjoba me vlerë 1974500 lekë. Janë pezulluar pesë leje drejtimi", thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës. Më tej shtohet se u bën thirrje drejtuesve të mjeteve për të zbatuar me korrektësi normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit dhe rregullat e legjislacionit rrugor, të përcaktuar në Kodin Rrugor.

Me gjithë këto masa, në Qarkun e Tiranës nuk kanë munguar aksidentet. Dy ditë më parë, rreth orës 17:00 u krye arrestimi në flagrancë e shtetasit Ervin Bashkim Bardhi, 30 vjeç, lindur në Kavajë dhe banues në Tiranë. Ky shtetas po drejtonte automjetin tip "Benz 306", në rrugën "Abdyl Frashëri", në afërsi të dyqanit të këmbimit valutor, ka aksidentuar këmbësorin Xhili Vasil Peti, i cili në momentin e aksidentit po kalonte nga krahu i majtë në krahun e djathtë të rrugës. Një tjetër aksident është shënuar në rrugën Tiranë-Elbasan. U arrestua Endrit Laze, 22 vjeç, pasi dy ditë më parë rreth orës 20:40, duke drejtuar automjetin tip "BMW", me targa DR 7580 E, me drejtim lëvizje Elbasan-Tiranë, në fshatin Bërzhitë, ka aksidentuar këmbësorin Alban Alla, 34 vjeç, i cili në momentin e aksidentit po kalonte nga krahu i majtë në të djathtë të rrugës. Drejtuesi i mjetit me targa Dr.7580 ka ndaluar, duke i dhënë ndihmën e parë të aksidentuarit, ku me një mjet të rastit e ka dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë ku Alla gjeti vdekjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›