E Diel, 1 Nëntor 2026

Tentuan të rrëmbejnë gjimnazisten me makinë, arrestohen

Dy adoleshentë kanë tentuar të rrëmbejnë një 17-vjeçare me makinë dhe janë arrestuar në flagrancë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në mes të ditës në lagjen 6 të qytetit të Durrësit, në afërsi të lokal "Fiorentina", jo larg Drejtorisë së Policisë së qarkut. Dy djem të ardhur në Durrës nga rrethet e Mirditës dhe Dibrës, e me banim në Spitallë të Durrësit, kanë tentuar të rrëmbejnë me një makinë tip Golf 5 me targa të huaja, një 17-vjeçare, nxënëse në shkollë të mesme, banore e së njëjtës lagje me ta. Djemtë e kanë tërhequr me zor vajzën drejt makinës, por afër vendit të ngjarjes kanë qenë shërbime të antikrimit kundër personit, të cilat kanë ndërhyrë duke liruar gjimnazisten nga dhuna e të rinjve dhe prangosur ata. Mësohet se të arrestuarit në flagrancë janë: Benard Lleshi, 18 vjeç, lindur në Dibër dhe Pashk Buca, 19 vjeç, lindur në Mirditë. Të dy janë banues në lagjen 15 të qytetit bregdetar. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të marrin me forcë për ta hipur në automjetin e tyre tip Golf 5 me targa ND05YOO shtetasen R.H., 17 vjeçe nga Gramshi me banim në lagjen 15 dhe nxënëse e klasës së 11-të. Në kohën që Benardi e ka kapur për krahu duke e tërhequr për në automjetin e tij, jashtë dëshirës së saj, kanë ndërhyrë shërbimet e seksionit të krimeve kundër personit. Uniformat blu kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë të Lleshit dhe Bucës, ndërsa sekuestruan automjetin e përdorur prej tyre. Ndaj të rinjve kanë nisur hetimet për veprat penale të heqjes së paligjshme të lirisë e mbetur në fazën e tentativës, e kryer në bashkëpunim.

Va.Qy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›