Autostrada shkatërron rrugën që lidh katër rrethe
MIRDITË- Rruga nacionale Milot-Rrëshen dhe më tej për Shpal nga ku kalojnë automjete të shumta si ato të tonazhit të rëndë apo autovetura e mjete të tjera të madhësive të ndryshme po shkatërrohet e tëra nga gropat e shumta të krijuara gjithandej. Kontribuuesit më të mëdhenj në këtë prishje janë makinat e rënda që punojnë në ndërtimin e autostradës Durrës- Kukës. Nëse para dy vitesh u bënë disa ndërhyrje me asfaltime të pjesës më të madhe duke e kthyer në një rrugë komode, sidomos segmentin nga Miloti në Rrëshen, asgjë nga ai investim thuajse nuk ka mbetur më dhe rruga nacionale që lidh katër rrethe verilindore e veriore te vendit si dhe Kosovën ka marrë formën e një rruge të shkërmoqur kantieri. “Është e kuptueshme që në një volum të tillë të madh pune do të ndikohej për keq në këtë aks por dhe mirëmbajtja duhej të ishte në përgjigje të këtij shkatërrimi”,- shprehen kalimtarët dhe drejtuesit e automjeteve që kalojnë nëpër këtë aks rrugor. Milionat e parave që janë hedhur në këtë aks nacional për disa vite, si nga qeveria shqiptare, apo Banka Botërore në dy mirëmbajtjet e saj rutinore dhe periodike, tashmë janë fshirë, dhe rruga është bërë si mos më keq.
Gjithë kjo vjen nga shtimi jo i zakontë për këtë rrugë i automjeteve që kalojnë mbi të, sidomos i atyre të tonazhit të rëndë. Por dhe mos supervizimit nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve për fondin e dhënë për mirëmbajtje. Edhe pse në tabelën tek ura me harqe e Milotit, është shënuar vlefta prej afro 25 milionë lekë të reja që i janë akorduar një firme të tenderuar për 25 kilometrat e para në mirëmbajtje rutinore dhe dimërore për tri vite, përgjatë gjithë kësaj gjatësie sheh vetëm dy ose tre punëtorë që bartin me karroca dore baltë e dhera në anën e malit për ta lëshuar në gropat e formuara, duke bashkuar një aliazh interesant asfalt dhe baltë. Në këtë rrugë nuk pastrohen as kanale anësore dhe sa herë që bie shi, rrëketë së bashku me inertet zbresin në rrugë duke formuar një “lumë” llumi.
Gropëzimi dhe shkatërrimi i kësaj rruge po vjen nga kalimi mbi të i makinave të tonazhit shumë të rëndë të kompanisë Bechtel-Enka që mbartin zhavorre sidomos por dhe produkte të tjera ndërtimore, duke shkatërruar pjesë të tëra. Nga peshat e pa llogaritura për këtë aks nacional, ka filluar cedimi i disa pjesëve të rrugës, duke krijuar dhe vende me rrezikshmëri të lartë. Një e tillë është shënuar javët e fundit poshtë Gurit të Kishës në Rubik, ku ka shkarë thuajse gjysma e tabanit të kësaj rruge dhe askush nuk ka vënë dorë deri më tash. Por dhe në vende të tjera ka shkarje masivi të tëra si në kryqëzimin e rrugës së Ndërfushasit ku është çarë e ka rrëshqitur krejt mali që ndodhet aty nga punimet e pakuptueshme të firmës nënkontraktore kosovare duke e lakadredhur rrugën për afro 500 metra.