E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infektohen 2 bashkëshortët, shpëtojnë fëmijët

 

Rezultat e analizave do t’i trishtonte deri në palcë ata. Të infektuar të dy me virusin HIV. Ky ka qenë lajmi i kobshëm që ka marrë një çift bashkëshortësh në Spitalin Infektiv pranë QSUT-së, vetëm para pak javësh. Por fatmirësisht, frika se edhe fëmijët e tyre mund të kenë marrë virusin nuk ka qenë e vërtetë, pasi ata kanë rezultuar negativë. Burime pranë Spitalit Infektiv pohojnë për gazetën se bashkëshortët mund ta kenë marrë virusin kohët e fundit, por nuk mund të thonë saktësisht shkaktarin e infektimit. Sipas mjekëve, fakti që bashkëshortët e dinë që janë të infektuar me virusin HIV do t’i ndihmojë ata të jenë të kujdesshëm në kujdesin ndaj fëmijëve pasi janë këshilluar për këtë.

Infektimi

Nuk dihet se kush mund ta ketë marrë i pari virusin HIV, por si i dyshuar kryesor mbeten marrëdhëniet seksuale dhe në këtë rast bëhet fjalë edhe për ndonjë tradhti bashkëshortore, që do t’u kushtojë jo pak çiftit të bashkëshortëve. Sipas burimeve të Infektivit, çifti i bashkëshortëve i përket grupmoshës 35-40 vjeç dhe dyshohet se ata janë infektuar kohët e fundit. “Të dy bashkëshortët rezultuan pozitiv dhe mendojmë se infektimi mund të ketë ardhur nga marrëdhëniet seksuale. Megjithatë mjekët janë për të dhënë ndihmën shëndetësore dhe jo për t’u përqendruar tek shkaktarët e infektimit, pasi me këtë merren struktura të tjera”,- pohojnë burime të Infektivit duke shtuar se gjendja e tyre shëndetësore nuk është e keqe, çka tregon se virusin e kanë marrë kohët e fundit. Ndërkohë, mësohet se çifti i bashkëshortëve është nga Tirana dhe se po marrin trajtim mjekësor periodik dhe korrekt.

Këshillat

Kanë dy fëmijë për të rritur dhe nëse zbatojnë këshillat e mjekëve me përpikëri, kanë mundësi t’i shohin ata edhe me nipër. Në fakt, është ndër rastet e vetme në vendin tonë që fëmijët rriten me prindër të infektuar me virusin HIV por pa qenë të prekur edhe vetë fëmijët. Kështu, për vetë faktin që çifti i bashkëshortëve e ka kapur sëmundjen në fazat e para, mjekët pohojnë se ata mund të jetojnë edhe më shumë se 10 vjet. “Ata kanë 2 fëmijë rreth moshës 10 vjeç, të cilët për fat të mirë nuk rezultuan me virusin HIV. Ata mund të jetojnë si një familje krejt normale dhe të rrisin fëmijët e tyre, por duke zbatuar këshillat e mjekëve dhe duke bërë kujdes”,- pohojnë mjekët, duke shpjeguar se virusi HIV merret vetëm në 3 rrugë, që janë: rrugët seksuale, vertikale (kur fëmija infektohet në barkun e nënës) dhe me anë të transfuzionit të gjakut. Kështu, duke ditur këto rrugë infektimi, specialistët pohojnë se këta fëmijë kanë mundësi të rriten si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre. Gjithashtu mësohet se çifti i bashkëshortëve ka marrë shërbim edhe te psikologu i Qendrës Ambulatore të SIDA-s, pranë Spitalit Infektiv.

Infektohen çdo vit mbi 30 persona, neglizhohet testimi

Testimi i ulët dhe diagnostikim pasiv, duke sjellë raste gjithnjë në rritje të të infektuarve me virusin HIV. Kjo vërehet tek të prekurit me HIV-AIDS në Shqipëri, edhe pse sëmundja ka njohur përhapje të madhe dhe vdekshmëri. “Nëse para vitit 2000 kishte 7 ose 8 raste të reja në vit të infektuarish me virusin HIV, këto 4 vitet e fundit, ky numër është 3-fishuar”,- pohojnë specialistët e ISHP-së duke shtuar se kjo përbën një situatë shqetësuese. Megjithatë ata pohojnë se përhapja e sëmundjes, krahasuar me vendet e tjera evropiane mbetet e ngadaltë ndërkohë që vdekshmëria, sipas statistikave, që nga viti ‘92 është 55 persona. “Ne kemi të dokumentuar shifrën 251 të të prekurve me HIV-AIDS, por mendojnë se ajo mund të jetë realisht 700 deri në 1000”,- pohojnë specialistët e ISHP-së duke shtuar se dy vitet e fundit nuk janë bërë studime rivlerësimi, por ajo që mjekët kërkojnë, është balanca mes parandalimit dhe trajtimit të të sëmurëve me AIDS. “Shumica e rasteve janë në stad simptomatik, ndërkohë që një pjesë tjetër është ajo e heshtura, ajo që ndodhet nën majën e ajsbergut”,- pohojnë mjekët e Spitalit Infektiv.

ISHP

Marrëdhëniet seksuale, fajtore për SIDA-n në 87% të rasteve

Rruga e transmetimit të sëmundjes vdekjeprurëse SIDA vazhdon të mbetet rruga seksuale, me 87% e rasteve (heteroseksuale 77% dhe homo-biseksuale 10%). Të ndodhur përballë këtij fakti, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik këshillojnë të përdoren masa mbrojtëse gjatë marrëdhënieve seksuale. “Secili prej nesh mund të jetë pre e virusit vdekjeprurës, e rëndësishme është që të gjithë të përdorin masa mbrojtëse, për të parandaluar një fatkeqësi të pashmangshme”,- theksuan specialistët e ISHP-së. Ndërsa, sa i takon të infektuarve për shkak të transfuzionit të gjakut, po sipas specialistëve të ISHP-së, rastet janë në masën 4 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›