Maqedoni, Ahmeti: Dalja në rrugë nuk i zgjidh problemet
Bashkimi Demokratik për Integrim shprehet kundër daljes në rrugë për të zgjidhur problemet në Maqedoni, duke preferuar zgjidhjen institucionale.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, deklaron se çështja e emrit me Greqinë nuk do të zgjidhet nëse partia e tij del nga koalicioni qeverisës. Sipas Ahmetit, zgjidhja e kontestit të emrit nuk është shumë larg, dhe kjo çështje paraqet problem jo vetëm për rajonin, por edhe për gjithë komunitetin ndërkombëtar.
“Unë mendoj që të dy palët kanë hyrë në një situatë emocionale, të dy palët akoma kanë të shtresuara apo komplekse nga e kaluara se mund të ketë pretendime territoriale apo zgjerim kufijsh. Të nderuar, këto komplekse palët do t’i heqin, sepse ëndrra për Greqi të madhe apo Maqedoni të madhe ka rënë”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme, Ahmeti tha se BDI-ja është përcaktuar për interesin e qytetarëve, pasi projektet madhore që do të jenë në shërbim të qytetarëve janë në përfundim e sipër.