Pacolli: Posti i Presidentit më i përshtatshmi

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, shprehet kundër hyrjes në qeveri me PDK-në e Hashim Thaçit, nëse në të përfshihet edhe AAK-ja e Ramush Haradinajt.
Behxhet Pacolli i trembet faktit se një bashkëpunim PDK-AAK-AKR, do të ulte peshën e partisë së tij në qeverisje.
“Nuk kam vija të kuqe me AAK-në, por kam vetëm një frikë. Nëse do të jenë AAK-ja dhe PDK-ja së bashku, më duket se hapësira jonë do të jetë shumë e reduktuar dhe veprimet tona nuk do të vërehen. Për atë, unë nuk do të jem i interesuar për këtë formulë qeverisëse. Pra, nuk kam averzion për askënd, por në këtë konstalacion, e shoh se hapësira jonë zvogëlohet në atë masë ku ne nuk mund të veprojmë dhe ne nuk do të jemi të interesuar të jemi pjesë e asaj qeverie”, shprehet Pacolli gjatë një interviste për gazetën “Ekspres”.
Ai ka shpalosur hapur edhe ambiciet e tij personale, duke theksuar se do të ishte i kënaqur nëse do të merrte postin e Presidentit. Kryetari i AKR-së nuk e vë kusht këtë post për të hyrë në koalicion me Thaçin, por mendon se kjo detyrë do të ishte me e përshtatshmja për të.
“Nuk futem as unë, e askush nga AKR-ja dhe partnerët tanë vetëm për poste. Por konsideroj se kontributi im më i madh do të mund të jepej nëpërmjet ushtrimit të postit të Presidentit. Unë e konsideroj postin e presidentit, post ideal, prej ku unë mund t’i ndihmoj Kosovës dhe nëse e shohim se do të devijohet nga kjo qasje, ne do të tërhiqemi nga të gjitha kombinimet për qeverisjen e ardhshme”, deklaron Pacolli.
Ndërkaq, kryetari i Aleancës Kosova e Re deklaron se nuk është takuar ndonjëherë me Hashim Thaçin për të diskutuar rreth krijimit të një koalicioni qeverisës.