Vlorë, kërkime per 13 vjeçaren, u mbyt dje në Shushicë
VLORë- Policia e Vlorës ka rinisur sot në mëngjes kërkimet për gjetjen e trupit të 13 vjeçares nga fshati Gjorm, 30 km në juglindje të qytetit, e cila u mbyt aksidentalisht pasditen e djeshme në ujërat e fryra te lumit Shushicë. Ngjarja ndodhi rreth orës 17.30 të ditës së djeshme, kur e mitura së bashku me të vëllanë e saj po kalonin lumin me një kalë. “Vajza me të vëllanë, hipur mbi një kalë, po kalonin lumin për të mbërritur në fshatin e tyre, por ujërat e rrëmbyera, pasojë e reshjeve të shiut, i morën përpara”, tha zëdhënësi i policisë së qarkut të Vlorës, Saimir Koçiu. Sipas tij, të dy fëmijët ranë në ujë, por 15 vjeçari arriti të dilte, duke njoftuar për ngjarjen të afërmit dhe bashkëfshatarët. Policia, e ndihmuar dhe nga banorë të zonës, po kërkon për gjetjen e trupit të vajzës së humbur. (d.b/BalkanWeb)