E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, BDI-ja do ta njohë Kosovën pas zgjedhjeve



Zëdhënësja e Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ermira Mehmeti, ka deklaruar gjatë një konference për shtyp se, pas zgjedhjeve të 1 qershorit BDI-ja do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Duke folur në konferencën për shtyp, Mehmeti ka akuzuar PDSH-në për mosnjohjen e shtetit të ri të Europës. “Pas fitores së madhe në zgjedhjet e 1 qershorit, BDI menjëherë do të shpallë njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe do të vendosë marrëdhënie diplomatike me këtë vend”,-ka pohuar Mehmeti. Ajo ka shtuar se PDSH-ja nuk ka fuqi për të njohur pavarësinë dhe se për këtë arsye qytetarët duhet të votojnë BDI-në.
Ndërkohë ndërkombëtarët vazhdojnë të bëjnë thirrje për ndaljen e dhunës. Ambasadori francez në Maqedoni është shprehur se dhuna elektorale duhet të ndalet. Në një intervistë për gazetën “Koha” Bernard Valero deklaroi se kandidatët duhet të përballen me projekte dhe ide, që qytetarët të vendosin se cilin të zgjedhin. Ai shtoi gjithashtu se qeverisë i mbetet pak kohë për të realizuar proceset e nisura drejt integrimit në NATO dhe BE.

Misioni i EULEX-it mund të shtyhet një muaj

Plani i Bashkimit Europian që rreth mesit të qershorit të marrë përsipër çështjet politike në Kosovë nga Kombet e Bashkuara, si duket do të shtyhen, për shkak të mungesës së marrëveshjes për tranzicion formal të pushtetit. Këtë e kanë bërë të ditur për agjencinë “Reuters” burimet europiane. Ata rendisin si shkak dhe fuqinë e Rusisë në Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara.
"Ne ende po vendosemi mirëpo plani që çdo gjë të jetë në vendin e vet deri atëherë, tani po duket i vështirë”,-ka thënë një zyrtar i BE-së. Sipas këtij burimi ka pak mundësi që deri më 15 qershor në Kosovë të vendosen 2 200 trupat policorë dhe zyrtare të BE-së.
Diplomatët europianë thonë se Rusia, e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës, është duke e shfrytëzuar fuqinë e saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të parandaluar dorëzimin e pushtetit nga OKB-ja në duart e misionit të BE-së, EULEX. “BE-ja momentalisht ka të vendosur në Kosovë rreth 300 vartës të saj, shumica prej të cilëve janë duke iu nënshtruar trajnimeve në Prishtinë, ndërsa gjatë javëve të ardhshme pritet ardhja e të tjerëve”, - ka thënë një zyrtar europian për Reuters. Mirëpo fakti se nuk ekziston ndonjë datë e saktë për largimin e personelit të misionit të OKB-së nga Kosova, ka ngritur pyetjen se kur mund të zëvendësohet personeli dhe makinat e UNMIK-ut me ato të BE-së. “Po zhvillohet një diskutim për mundësinë e shtyrjes për së paku një muaj”, - ka thënë ky burim për Reuters.
Zyrtarët e BE-së thonë se asgjë nuk ka ndryshuar në objektivat e misionit të BE-së që duhet të mbikëqyrë dhe drejtojë policinë lokale përgjatë territorit të Kosovës si dhe të zotërojë njësitë për intervenim të shpejt.

Vendet islamike mund ta njohin Kosovën në muajin korrik

Vendet islamike mund të marrin një vendim të përbashkët për të njohur pavarësinë e Kosovës, në muajin korrik gjatë takimit të ministrave të jashtëm të vendeve islamike që do të mbahet në Uganda. Kështu ka deklaruar këshilltari për politikë të jashtme i Bangladeshit, Iftekhar Ahmed Klodhuri, gjatë një takimi me ambasadorin amerikan atje, Xheims Moriarti. Ai ka thënë se Bangladeshi parashikon të njohë pavarësinë e Kosovës.
Ndërkaq, ambasadori amerikan citohet të ketë deklaruar se ka kërkuar përkrahjen e këtij vendi për shumë çështje përfshirë njohjen diplomatike të Kosovës.

17 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›