Serbi, nacionalistët dhe socialistët në prag të marrëveshjes
Nacionalistët serbë dhe socialistët e Millosheviçit kanë bërë të ditur se janë afër kompromisit për formimin e qeverisë së re serbe. Në këtë mënyrë ata po lenë mënjanë grupin properëndimor të presidentit Boris Tadiç, i cili doli fitues në zgjedhjet e 11 majit. Lajmi u bë i ditur nga Associated Press. Sipas të njëjtave burime kjo u arrit në një takim ku të dyja palët u shprehën se kishin rënë dakord për vendosjen e parimeve për një qeveri të re “kombëtare”. Një marrëveshje e tillë ndërmjet Partisë Radikale, koalicionit të Koshtunicës dhe socialistëve të ish-diktatorit Millosheviç do t’u mundësonte nacionalistëve të vijnë në pushtet për herë të parë që pas përmbysjes së Millosheviçit, në vitin 2000. Pas përfundimit të zgjedhjeve, grupi properëndimor i presidentit Tadiç dhe nacionalistët me në krye Tomislav Nikoliç përshpejtuan bisedimet me Partinë Socialiste pasi nuk kishin shumicën parlamentare për formimin e qeverisë. Kreu i socialistëve Ivica Daçiç për disa ditë nuk u deklarua se cilit bllok do t’i bashkohej. Duke reaguar ndaj bisedimeve të zhvilluara ndërmjet bllokut nacionalist Koshtunica- Nikoliç për formimin e qeverisë së re, presidenti Tadiç ka deklaruar se me të gjitha mjetet legjitime dhe demokratike do ta mbrojë vullnetin zgjedhor të qytetarëve që i duhet të rezultojë me formimin e një qeverie të qëndrueshme të Serbisë. Ndërkohë rreth çështjes së Kosovës të dyja grupet janë shprehur se ajo do të jetë pjesë e Serbisë. Rusia si më herët së bashku me Indinë dhe Kinën kërkuan bisedime të tjera për Kosovën dhe Beogradin. Pas kësaj kërkese SHBA-të kanë reaguar duke thënë se statusi i Kosovës tashmë është zgjidhur dhe Kosova është vend i pavarur. Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Shon Mekormak, u pyet nëse do t’i kushtohej vëmendje thirrjeve dhe përpjekjeve të këtyre tre vendeve për t’iu rikthyer çështjes së Kosovës, ai u përgjigj se këtyre vendeve u duhet bërë e qartë njëherë e mirë se statusi i Kosovës është zgjidhur. Dy ditë më parë në një takim në Ekaterinburg të Rusisë u mblodhën ministrat e jashtëm të Rusisë, Indisë dhe Kinës, të cilët nuk e njohin shtetin e pavarur dhe kërkojnë që të bëhen negociata të reja. Këto ide janë quajtur irracionale edhe nga Prishtina zyrtare. Zv/ kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se veçanërisht Rusia ende nuk ka një qëndrim real për zhvillimet që po ndodhin në Kosovë.
17 Maj 2008