E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërhyrja në laring, tani pacientët mund t’iu rikthehet zëri

IntervistëFlet mjeku specialist i ORL-së, Besim Boçi

Emanuela Sako

Pacientët që kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale në laring duke e hequr atë për shkak të tumorit dhe janë pa zë, tani e kanë mundësinë e rikthimit të zërit të tyre. Në Shërbimin ORL pranë spitalit Francez prej gati 50 vitesh trajtohen midis të tjerash edhe patologjitë tumorale të laringut. Trajtimi i këtyre patologjive konsiston në heqjen e pjesshme të laringut kur tumori është në stadet fillestare, dhe në heqjen e plotë të tij kur tumori është në stade të avancuara. Mirëpo, mjekët e ORL-së vetëm prej 3 javësh kanë realizuar operacionin e parë për vendosjen e protezave të zërit. Falë kësaj ndërhyrje laringut i rikthehet zëri në masën 70-80 për qind. Mjeku specialist i ORL-së, Besim Boçi, shpjegoi për gazetën “Albania” rastet kur mund të ndërhyhet në laring dhe vendosjen e protezës së zërit. Sipas tij, në rastet kur laringu hiqet plotësisht, atëherë pacienti ngelet pa zërin e tij dhe pa mundësi komunikimi. Mjeku Boçi, sqaroi se në këtë qendër aktualisht janë kryer 3 operacionet e para, ku dy prej të cilëve iu janë vendosur protezat dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa pacienti tjetër do ta vendosë së shpejti. Proteza mund të vendoset edhe tek të sëmurët që e kanë hequr më përpara laringun.
Prej pak ditësh është bërë e mundur operacioni i parë për vënien e protezës në laring. A mund të na tregoni diçka më tepër?
Shërbimi i ORL-së prej tri javësh ka realizuar një ndërhyrje në ndryshe nga herët e tjera. Ndërsa prej 50 vitesh ne realizonim operacione në laringun e fytit, prej tri javësh një na pacientët ka mundur t’i rikthehet zëri falë protezës së zëri. Natyrisht që kjo ndërhyrje kirurgjikale që bëhet në laring, ka të bërë vetëm në rastet kur pacienti ka tumor dhe duhet të që t’i hiqet laringu. Detyrimisht ai nuk mund të komunikojë nëpërmjet zërit të tij se ikën zëri. Ndërsa tani, me protezat e zërit pacientit i kthehet zëri dhe ka mundësi të flasë përsëri. Numri i atyre që vijnë me probleme të laringut, apo me tumore në laring janë relativisht i madh. Çdo vit vijnë rreth 100 pacientë që kanë probleme të tilla dhe që ne i trajtojmë në spital.
Kur ka filluar të kryhen operacione të tilla jashtë vendit?
Në botë ka filluar të vihet në përdorim kjo metodë rreth 7 apo 8 vite më parë. Ndërsa në vendin tonë është pak më e largët. Para 3 javësh ne kemi kryer operacionet e para të tumoreve në laring, në të cilat janë vendosur protezat e zërit të cilat bëjnë që të gjithë pacientët të flasin përsëri.
Deri tani sa është numri i pacientëve që i janë nënshtruar kësaj ndërhyrjeje?
Vendosja e protezave në qendrën tonë spitalore dhe në vend, është futur pak më vonë se në vendet e tjera. Rastet e para janë 3 javë më parë, ku janë operuar tre pacientë, dy prej të cilëve i kanë vendosur protezat e zërit dhe një tjetër që do ta vendosë këto ditë. Operacionet kanë dalë me sukses dhe pacientët nuk kanë asnjë lloj anomalie. Tani pritet vetëm dalja nga spitali dhe rikthimi pranë familjeve të tyre. Humbja e zërit tek pacientët që iu hiqet laringu, ka qenë një problem i madh më parë sepse, ata që bëheshin operacion nuk kishin mundësi që të flisnin, duke ngelur përgjithmonë pa zë. Ndërkohë që shpenzonin mjaft para për të shkuar për t’i vendosur protezat e zëri në spitalet e huaja. Ndërsa tani iu jepet një mundësi më mirë, pasi ka nj kosto më të ulët se jashtë vendit dhe ka një mundësi më të mirë për të folur përsëri.
Deri në ç’masë iu kthehet zëri pacientëve?
Pacientëve iu rikthehet zëri deri në masën 70-80 për qind. Zëri është me një tonalitet jonormal, duke krijuar një karakteristikë të vetën.
Si sigurohen protezat?
Pacientët i blejnë vetë protezat dhe ne i vendosim ato kur kryejmë operacionin. Por edhe ata pacientë që kanë kryer më parë operacionet mund të vendosin protezën e zërit. Protezat sigurohen nga një kompani Suedeze “Provox”, që ka një pikë distribucioni në Kosovë. Ne i orientojmë pacientët për blerjen e protezave të zërit. Njëkohësisht i informojmë se çfarë është proteza, si iu kthehet zëri përdorimin e tyre rreziqet etj.
Sa është kostoja për një protezë?
Kur e vendos protezën për herë të parë kostoja shkon në 500 euro, ndërsa kur ndërrohet çdo gjashtë muaj apo një vit kushton 350 euro.
Pse duhet të ndërrohet proteza e zërit peridokisht?
Kjo ndodh, pasi proteza konsumohet dhe detyrimisht bie cilësia e zërit. Ndërsa ka dhe një problem tjetër sepse nëse pacienti e mban më tepër se afati i përcaktuar nga mjeku, ai rrezikon të mbytet nga ushqimi. Kështu që pacientët duhet ta ndërrojnë atë çdo 6 muaj apo një vit për të qenë më të sigurt për shëndetin e tyre.
Si reagojnë pacientët kur dëgjojnë për këtë risi të shërbimit spitalor pranë ORL-së?
Sapo dëgjojnë për protezën e zërit, të sëmurët janë mjaft entuziast. Por kostoja që ka është e papërballueshme. Shumica e pacientëve nuk kanë mundësi financiare për ta përballuar blerjen e protezës, aq më tepër që ajo duhet të ndërrohet vazhdimisht, pasi konsumohet. Në këtë rast duhet ndërhyrja e shtetit, që të rimbursojë blerjen e tyre për një afat të caktuar kohor.
Si është e ndërtuar një protezë dhe cilat janë rreziqet që shkakton?
Proteza e zërit është e përbërë nga dy hapje. Njëra nga hapjet mbyllet nga një valvul dhe ndodhet në ezofag, ndërsa hapja tjetër vendoset në murin e pasmë të trakesë. Kur konsumohet, ndodh ndarja e ushqimit dhe pacienti fillon të mbytet, pasi në to kalon edhe ushqimi. Materiali i protezës është i përbërë nga prodhimi i silikonit qind për qind.
Si lindi si ide për ta futur në Shqipëri, duke pasur parasysh njohuritë që ka pasur stafi juaj?
Vendosja e protezave, në të gjithë perëndimin ka filluar në paralelisht. Ndërsa në Shqipëri jemi njohur nëpërmjet librave. Gjithashtu, ne e njihnim si teknikë dhe e kishim parë nëpër CD, në trajnime të ndryshme që kemi kryer brenda dhe jashtë vendit. Personalisht ka ndjekur një trajnim të veçantë në një kurs intensive në Holandë.
Sa mjekë të specializuar për këtë lloj operacioni për zëvendësimin e protezave ka stafi juaj?
Stafi përbëhet nga dy specialistë, ku njëri prej tyre jam un dhe tjetri është Shefi i Shërbimit të ORL-së, Pjerin Radovani.
Për momentin stafi është i pjesërisht i kompletuar, më pas duhet të plotësohet me specialistë të tjerë. Të gjithë pacientët janë të interesuar që të kenë zërin e tyre dhe pritet që numri i atyre që do të kërkojnë vendosjen e protezave të zërit do të vijë duke u rritur.
Që nga momenti që është bërë e njohur kjo teknikë, a ka pasur rritje të kërkesave nga pacientët?
Periudha që ky shërbim është futur në spitalin tonë është shumë e shkurtër dhe një pjesë e pacientëve ende nuk dinë për të, por nga kontaktet që kemi pasur me ta, numri i kërkesave është rritur. Ndërkohë, janë disa pacientë që presin në radhë për të bërë ndërhyrjen kirurgjikale dhe për të vendosur protezën e zërit.
Cilët janë dy pacientët që kanë kryer operacionet e para, ku iu është vendosur proteza e zërit?
Pacientët që janë bërë operacion janë në gjendje mjaft të mirë shëndetësore. Njëri prej tyre është 60 vjeç dhe tjetri është 65 vjeç. Të dy pacientët nuk patën asnjë ndërlikim pas operacionet. Familjarët e tyre dhe vetë pacientët janë mjaft të kënaqur.
Çdo pacient që bëhet operacion dhe që i vihet proteza, duhet të qëndroj i shtruar në spital përreth dy javë. Është më se normale që një pacient të jetë nën vëzhgimin e mjekëve pas një ndërhyrjeje kirurgjikale. Ndërsa ata pacientë që janë operuar më parë dhe që vijnë e vendosin vetëm protezën mund të qëndrojnë vetëm një ditë, ndërsa ditën tjetër largohen për në shtëpi. Pasi ky shërbim është si shërbim ambulator që iu ofrohet pacientëve.
Çfarë do të kërkonit të ndryshonit me ndihmën e shtetit për këtë shërbim të ri?
Ne duam që shteti të marrë përsipër rimbursimin e 50 të sëmurëve, duke hequr një kosto prej 1 mijë eurosh për person. Në këtë mënyrë, pacienti të mbulohet nga shteti për shpenzimet e dy viteve, pasi është e pamundur që ata t’i heqin vetë shpenzimet për blerjen e protezave. Po kështu, kërkojmë trajnimin e veçantë të mjekëve.

17 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›