Maqedoni, GNK: Janë shtuar tensionet ndëretnike dhe ndërpartiake

Në një raport për Maqedoninë të Grupit Ndërkombëtar të Krizave theksohet se 10 vjet, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit që i dha fund luftimeve në këtë vend, shumica e marrëveshjes është plotësuar dhe se nuk ka gjasa për rikthimin e një konflikti të armatosur. Por, tensionet ndërpartiake dhe ndëretnike, thuhet në raport, janë shtuar gjatë pesë viteteve të fundit edhe përkundër integrimit të pakicave në jetën politike.
Organizata po ashtu thekson se në Maqedoni po vihen re disa prirje shqetësuese si nacionalizmi maqedonas në ngritje, kapja e shtetit nga ana e kryeministrit dhe partisë së tij, rënia e pavarësisë së shtypit dhe gjyqësorit, ekzistenca e ndarjes etnike në shkolla dhe decentralizimi e ngadalshëm, që rrezikojnë të minojnë shtetin shumë-etnik të Maqedonisë.
GNK sugjeron që kryeministri Nikolla Gruevski të bashkëpunojë ngushtë me partnerin shqiptar të koalicionit qeveritar dhe partitë e opozitës për të miratuar dhe zbatuar masat për ngritjen e shkallës së demokracisë, për pajtimin ndëretnik dhe për zgjidhjen e problemit të emrit me Greqinë.
“Parlamenti i ri i Maqedonisë, duhet të zbusë nacionalizmin e kryeminsitrit të mbështetur nga shteti, siç u vu re në programin tepër të shtrenjtë dhe përçarës të rinovimit të qendrës së Shkupit, që bazohet në vizionin nacionalist të Maqedonisë antike, gjë që fyen si pakicat vendase ashtu edhe Greqinë. GNK po ashtu nënvizon nevojën për forcimin e besnikërisë të partive shqiptare ndaj shtetit dhe angazhimin e tyre më të madh në procesin politike dhe atë vendimarrës”, thotë Grupi i Krizave.
Por, GNK gjithashtu vlerëson se kryeministri Gruevski në përpjekje për të ndërtuar një identitet të fuqishëm shtetëror të mbështetur tek historia e Maqedonisë antike, ka lënë shqiptarët të ndjehen të përjashtuar. Grupi propozon krijimin e një komisioni parlamentar për median; ndërkohë që inkurajon përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në institucionet publike dhe ndalimin e punësimit mbi baza të përkatësisë politike.