Maqedoni, Gruevski përballet sot me deputetët në Kuvend

Kryeministri Nikolla Gruevski dhe kabineti i tij qeveritar për herë të parë sot do përgjigjen para deputetëve për tremujorin e parë të qeverisjes.
Parlamenti i Maqedonisë sot në rend dite ka pyetjet e deputetëve përballë Gruevskit dhe ministrave të koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI.
Partitë opozitare kanë theksuar se janë parapërgatitur për të kërkuar llogari nga kryeministri dhe ministrat e kabinetit të tij lidhur me realizimin e projekteve dhe objektivave të qeverisjes, por edhe për problemet që po mbretërojnë në vend.
Kryeministri Gruevski lidhur me 100 ditëshin e qeverisjes së tij të formuar pas zgjedhjeve të 5 qershorit, prezantoi në një intervistë synimet dhe sfidat e qeverisjes.
Ngecjet dhe bllokimi në planin e integrimeve euroatlantike, raporti i KE-së, kriza ekonomike që ka përfshirë vendin, mungesa e reformave, problemet që prekin shqiptarët janë disa nga temat në të cilat do të fokusohen deputetët, kryesisht të opozitës, të cilët do të kërkojnë përgjigje nga kabineti qeveritar.