E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, KSHZ: BDI 17 deputetë, PDSH 11

Burime pranë Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) kanë bërë të ditur për agjencinë e lajmeve INA edhe numrin e saktë të deputetëve që fituan në partitë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Sipas të dhënave të KSHZ-së, koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka fituar 62 deputetë, Koalicioni i prirë nga LSDM ka fituar 29 deputetë, Bashkimi Demokratik për Integrim 17 deputetë, Partia Demokratike Shqiptare 11 deputetë dhe Partia për Ardhmëri Evropiane 1 deputetë.

Në bazë të llogaritjeve të numrit të votave, VMRO-DPMNE ka fituar 481.602 vota, LSDM 233.362 vota, BDI 125.997 dhe PDSH 83.678 vota.

BDI është në avantazh në të gjitha gjashtë njësitë zgjedhore. Shtabet partiake të BDI-së dhe PDSH sot nuk kanë dalur me asnjë koment apo të dhëna të reja për procesin e djeshëm zgjedhor. Poashtu edhe kryeministri Nikolla Gruevski akoma nuk është deklaruar për mundësinë e koalicionimeve. Në shtabin e VMRO-DPMNE deklaruan për agjencinë e lajmeve INA, se së shpejti lideri i tyre Gruevski do të fillojë negociatat për formimin e koalicionit, por duke mos dhënë detaje të tjera plotësuese.

Procesi zgjedhor i 1 qershorit u vlerësua si tejet negativ për shkak të parregullësive dhe incidenteve që përshinë shumicën e qendrave të votimit, ku pati një person të vrarë dhe disa të plagosur. Për shkak të këtyre incidenteve, dje u përsëriten votimet në 187 qendra votimi, ku rezultoi një proces i rregullt dhe i qetë zgjedhor, me përjashtim të parregullësive të vogla. Jehona e votuesve në zgjedhjet e 1 qershorit ishte 57, 6 për qind.

09:00 - Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) Jovan Josifovski publikoi mbrëmë në mesnatë rezultatet e para jozyrtare të zgjedhjeve të 1 dhe 15 qershorit, duke shpallur fitues tek maqedonasit VMRO-DPMNE-në, ndërsa tek shqiptarët BDI-në.

Sipas Josifovskit, pjesëmarrja e votuesve në mbarë vendin ka qenë 57, 16 për qind.

Sipas rezultateve të KSHZ-së, koalicioni i drejtuar nga VMRO – DPMNE-së ka fituar 481 602 vota, LSDM 232 362 vota, BDI 125 997 vota, PDSH 83 688 vota, PAE 14 473 vota, BDSH 6 311 vota dhe PPD ka fituar 5 209 vota.

Josifovski vlerësoi se rivotimi i ditës së djeshme ka kaluar në atmosferë korrekte dhe demokratike në pjesën më të madhe të vendvotimeve.

"Republika e Maqedonisë në këtë rivotim me suskses e kaloi testin të cilin duhej ta jepte dhe vlerësoj se në përgjithsi zgjedhjet e mbajtura më 15 qershor janë pozitive. Më këtë Republika e Maqedonisë tregoi dhe dëshmoi se mund dhe duhet të zbatojë zgjedhje korrekte dhe demokratike, tha mbrëmë kryetari i KSHZ-së Josifovski.

Sipas KSHZ-së, në rivotimet e djeshme, BDI ka fituar 38.642 vota, PDSH 32, 133 vota nga 183 vendvotime, ndërsa në tre vendvotime u anulua sërish votimi për shkak të vjedhjes së materialeve zgjedhore. (INA) 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›