E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni-Kosovë, pas pavarësisë

Reshat Ibrahimi
Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) do të jetë ndër shtëpitë e parë të futbollit evropian dhe atij botërorë që do të organizojë ndeshje miqësore futbolli me reprezentacionin e Kosovës, pas pavarësimit të saj. Informacioni e ka bërë të ditur nënkryetari i FFM-së, Rexhep Bexheti, i cili ka thënë për "Lajm", se organizimi i një ndeshjeje të tillë është biseduar me kreun më të lartë të futbollit të Maqedonisë. "E kemi menduar një ndeshje me reprezentacionin e Kosovës dhe kjo do të ndodh menjëherë pas pavarësimit të shtetit të Kosovës. Ndoshta do të jemi të parët që do të luajmë një miqësore futbolli mes dy vendeve. Në këtë mënyrë do t'ia urojmë Kosovës shtetin që për një kohë të gjatë e kemi pritur. Po presim vetëm momentin e shpalljes së pavarësisë, e cila shumë shpejt do të ndodh", është shprehur Bexheti. I pyetur nga "Lajm" se ku dhe kur mund të zhvillohet ndeshja, ai është përgjigjur: "Pasi të shpallet pavarësia do të shikojmë terminin e parë të lirë nga UEFA dhe FIFA. Më pas do t'i bëjmë ftesë zyrtare FFK-së për takimin miqësor. Ende nuk dihet data e ndeshjes dhe vendi, por mund t'ju them se nuk është shumë me rëndësi se ku do të zhvillohet loja. Mund të jetë Prishtina, Shkupi ose Tetova. Kryesorja është se ne do të bëjmë përpjekje që të jemi të parët që do të zhvillojmë ndeshje miqësore me Kosovën, si shtet dhe të hyjmë në histori", ka njoftuar nënkryetari i FFM-së, Rexhep Bexheti. Ndryshe, edhe në qarqet e ndryshme politike flitet se Maqedonia do të jetë ndër vendet e para që do të pranojë pavarësinë e shtetit më të ri në botë –Kosovën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›