Maqedoni: Mbi 18 mijë fëmijë jashtë bankave shkollore

Mbi 18 mijë fëmijë në Maqedoni nuk shkojnë në shkollë, edhe pse shkollimi është e drejtë e detyruar me kushtetutë.
Të dhënat janë publikuar nga Ambasada e Parë e Fëmijëve në botë “Megjashi” me seli në Shkup, e cila thekson se këto shifra janë alarmante dhe se numri më i madh i fëmijëve që nuk ndjekin shkollën janë të komunitetit rom.
“Megjashi” thekson se nuk ka ndonjë plan operativ për të ulur numrin e fëmijëve që nuk ndjekin proçesin mësimor nga klasa e parë.
“Vite me radhë angazhimet e institucioneve përgjegjëse janë vetëm deklarative. Ne kemi bërë rekomandimet, i kemi dhënë shqetësimet tona dhe jemi përkushtuar që fëmijët të mos ngelin në rrugë, por deri përpjekjet kanë qenë vetëm në formë deklarative”, theksojnë nga ambasada “Megjashi”.
Ministria e Arsimit ka deklaruar se vazhdimisht ka ndërmarrë masa për të mbyllur të gjithë fëmijët në sistemin arsimor. Sipas këtij dikasteri ndër masat e ndërmarra janë projekti për libra falas, projekti për transport falas për nxënësit, projekti për strehim falas si dhe projekti për shkollimin e detyruar të mesëm.
Edhe UNDP, kohë më parë ka shprehur shqetësime lidhur me fëmijët që nuk ndjekin proçesin mësimor në Maqedoni. Sipas kësaj organizate, 91 për qind e fëmijëve rom fillojnë shkollimin fillor nga mosha 7 vjeçare, por ata në moshën 10 vjeçare në të shumtën e rasteve braktisin bankat shkollore.