Maqedoni, “Most” me 3500 vëzhgues në njësitë zgjedhore
Shoqata qytetare “Most” edhe këtë cikël zgjedhor do ta vëzhgojë me mbi 3.500 vëzhgues të shpërndarë në të gjitha njësitë zgjedhore, ndërsa votimin në diasporë do ta vëzhgojë në 20 përfaqësi diplomatike konsullore.
Për këtë qëllim, drejtori ekzekutiv i kësaj organizate Darko Aleksov, u bëri thirrje qytetarëve që janë të interesuar, të jenë vëzhgues të “Mostit” që deri në 13 maj të paraqiten në zyrat rajonale të këtij grupimi.
Gjatë fundjavës “Most” do të organizojë edhe aksione lokale në 84 komunat e Maqedonisë me qëllim që të nxisin qytetarët të kontrollojnë të dhënat e tyre në listën zgjedhore.
Aksioni do të realizohet në vendet më të frekuentuara të komunave ndërsa rezultatet e këtij aktiviteti do të prezantohen pas përfundimit të kontrollit publik të listës zgjedhore, i cili është në realizim e sipër dhe zgjat deri më 4 maj.