Maqedoni, Riker vazhdon axhendën e takimeve

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit Filip Riker po vijon vizitën e tij në Maqedoni, në kuadër të një axhende disaditore.
Riker dje ka zhvilluar takime intensive me zyrtarë të lartë të Qeverisë dhe drejtuesit e dy partive më të mëdha, kryeministrin dhe liderin e VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski dhe kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.
Në deklaratat zyrtare nga këto takime theksohet mbështetja amerikane për Maqedoninë në planin e integrimeve euroatlantike dhe realizimit të reformave, si dhe gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Riker në fund të takimeve të djeshme ka takuar edhe zëvendëskryeministren për eurointegrime Teuta Arifi, me të cilën ka biseduar për proceset eurointegruese dhe përpjekjet që po bën ky dikaster në këtë drejtim.
Diplomati amerikan sot do të takohet me ministrin e mbrojtjes, Fatmir Besimi për të diskutuar për bashkëpunimin ushtarak, përpjekjet dhe reformat e ARM-së konform standardeve të NATO-s, pjesëmarrjen e ARM-së në misionet ushtarake si dhe shqyrtimi i zhvillimeve të fundit politike.
Ndërsa më pas pritet të vazhdojë axhendën me takime me krerë të partive politike, kryesisht të opozitës. Riker do të dëgjoj vlerësimet dhe shqetësimet e tyre lidhur me zhvillimet politike në Maqedoni.
Disa portale maqedonase dje kanë shkruar se Riker ka nisur një përpjekje për të ulur tensionet midis partive të koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI, pas mosmarrëveshjeve dhe zërave për braktisjen e koalicionit nga BDI.