E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, VMRO refuzon nëpunësit e BDI-së

Enti për punësim nuk i ka paraqitur akoma 110 nëpunësit shtetërorë me përvojë pune, të pranuar në bazë të konkursit të fundit të Sekretariatit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Edhe pse administratorët e rinj nga 30 nëntori ishin çregjistruar nga punët e tyre më qëllim që më 1 dhjetor të regjistrohen në punën e re, punësimi i tyre akoma nuk është rregulluar. Burime të sigurta të gazetës "Lajm" brenda Sekretariatit bëjnë të ditur se mosmarrëveshjet mes partnerëve të koalicionit janë shkaktarë i mosregjistrimit të administratorëve të rinj në Entin për punësim.
Megjithatë, sekretari shtetëror në Sekretariatin për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Ilham Ismani pohon se nuk ka asnjë prapavijë politike, por janë vetëm procedura të rregullta të cilat do të kryhen më 25 dhjetor. "Janë çështje procedurale që do të zgjidhen deri më 25 dhjetor. Ne i kemi kompletuar dokumentet e tyre dhe ata prej 1 dhjetorit duhet të marrin paga prej sekretariatit. Kjo është vetëm një çështje procedurale që nuk është zgjidhur për shkaqe teknike. Ata nuk duhet të kenë ndërprerje pune pasi të gjithë janë me përvojë dhe nga 30 nëntori ata janë shkëputur nga punët e tyre", tha Ismani.

Burime brenda qeverisë pohojnë se ka shanse që konkursi të ripërsëritet, pasi nga VMRO-DPMNE kanë kërkuar përfaqësimin e më shumë pakicave, siç janë romët, serbët, turqit etj., por Ismani mohon një gjë të tillë. "Vendimet janë të plotfuqishme dhe vlejnë. Ne si institucion i kemi respektuar të gjitha procedurat dhe tani jemi në bisedime me ministrinë e financave që kjo çështje të mbyllet", tha Ismani.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›