Vazhdojnë debatet për programin bërthamor të Iranit
Debatet lidhur me programin nuklear të Iranit vazhdojnë të mbesin në rend të ditës. Shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë së SHBA, Admirali Mike Mullen, tha se një intervenim i mundshëm ushtarak ndaj Iranit do të jetë i kufizuar.
Në vlerësimin vjetor të kërcënimeve drejtuar SHBA, Mullen tha: "Opsioni i intervenimit ushtarak ndaj Iranit duhet të mbahet mbi tavolinë. Por, efektet e intervenimit të mundshëm ushtarak ndaj Iranit do të jenë të kufizuara. Besoj se për të garantuar sigurinë rajonale mënyra politike është akoma më e vlefshme".
Ndërsa Ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kushner mbrojti qëndrimin se janë të pashmangshme sanksionet e reja të OKB-së ndaj Iranit, i cili nuk bën hapa para në çështjen e programit nuklear.
Ndërkohë, kryenegociatori i Iranit, Said Xhelili viziton Japoninë që përjetoi fatkeqësitë e Hiroshimës dhe Nagasakit.
Xhelili tha se të gjitha vendet kanë të drejtë të përfitojnë nga energjia atomike por tha se duhet të ndalohen armët bërthamore. Kryenegociatori i Iranit bëri të ditur se vendi i tij është i gatshëm t'i ndihmojë vendet për një botë pa armë nukleare.
Udhëheqja e Ahmedinexhadit, e cila nga vendet perëndimore dhe Izraeli akuzohet për tentim të prodhimit të armës nukleare, krahas kërcënimeve të reja për embargo vazhdon duke e zgjeruar programin bërthamor.