E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja legjitimon dy postet e Haxhinastos

Gjykata Kushtetuese legjitimon dy postet e larta qeveritare që mban Edmond Haxhinasto, si zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm. Megjithëse nuk ka shqyrtuar në thelb një çështje të tillë, pra nëse mbajtja e dy posteve në një kabinet qeveritar është kushtetuese apo jo, më datë 22 korrik të 2011 Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin nr.89, nëpërmjet të cilit ka rrëzuar si të palegjitimuar kërkesën e paraqitur nga shtetasi Binak Hoxha, i cili kërkonte anulimin e vendimit nr.79 datë 17.01.2011 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për emërimin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, zotit Edmond Haxhinasto, si antikushtetues. Kërkuesi, në mbështetje të kërkesës së tij, parashtronte se bazuar në parashikimin e pikës 1 të nenit 95 të Kushtetutës, posti i zëvendëskryeministrit është i ndarë nga posti i ministrit dhe si rrjedhim bashkimi i këtyre posteve në një të vetëm nuk është i bazuar në Kushtetutë. Për shkak të bashkimit të këtyre posteve, në rastin konkret kërkuesi pretendonte se i është cenuar e drejta kushtetuese, e parashikuar në nenin 48 të Kushtetutës, për t'iu drejtuar me kërkesa, ankesa ose vërejtje organeve publike, të cilat janë të detyruara të përgjigjen në afatet dhe kushtet e caktuara me ligj. Kolegji i Gjykatës Kushtetuese në vendimin e tij konstaton se subjekti i kësaj kërkese është një individ, i cili në bazë të Kushtetutës është njëri prej llojeve të subjekteve që mund të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, gjykata vlerëson se referuar këtyre dispozitave kushtetuese, legjitimiteti i individëve për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese ka si parakusht të tij dhe është i ndërvarur nga fakti që shkelja e së drejtës kushtetuese të individit të jetë e lidhur detyrimisht me një proces të parregullt ligjor, si dhe nga ana e individit të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e të drejtave të tij kushtetuese. Si rrjedhim, në këtë këndvështrim, Gjykata shprehet se kërkuesi si individ nuk legjitimohet të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, pasi pretendimin e shkeljes të së drejtës kushtetuese ai nuk e parashtron të lidhur me një proces të parregullt ligjor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›