E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj e Bello banket për ditëlindjen. Kolegët: Kjo festa e LMN-së

TIRANË Deputetët Arben Malaj dhe Marko Bello janë ndjerë borxhlinj ndaj respektit që i bëri grupi parlamentar një javë më parë, kur kryetari i PS-së, Edi Rama, i uroi ata publikisht për 50 vjetorin e tyre. Ndaj dje pas mbledhjes së grupit pikërisht në ambientet ku zhvillohen mbledhjet e tij, dy deputetët Malaj dhe Bello kanë shtruar një banket modest me rastin e ditëlindjes së tyre. Fillimisht ata janë ndjerë të zhgënjyer që i pranishëm nuk mund të ishte kreu socialist, Edi Rama, pasi ndodhej në një angazhim të tijin privat jashtë shtetit. Megjithatë rolin e Ramës e ka luajtur kryetari i grupit parlamentar Gramoz Rucci i cili ka uruar dy deputetët në emër të grupit. Gjatë kokteilit deputetët kanë shkëmbyer batuta mes tyre duke ngacmuar me humor deputetët Malaj dhe Bello edhe për lëvizjen e tyre politike, që ndërmorën dy vjet më parë nën emrin LMN. Për pasojë, mësohet se gjatë banketit ka pasur nga ata deputetë që e kanë quajtur këtë koktejl si festën e dyvjetorit të LMN-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›