Maqedoni, identifikohet viktima e katërt në incidentin e Radushës
Identifikohet personi i katërt i vrarë në incidentin e së mërkurës në fshatin Radushë të Shkupit. Ai është Harun Aliu, i njohur si komandant Kushtrimi, njofton agjencia e lajmeve INA. Trupi i pajetë i tij i është dorëzuar mbrëmjen e së mërkurës familjes së të ndjerit. Harun Ali ka qenë edhe kryetar i partisë, Alternativa Kombëtare ose AK-së. Transportimi i një arsenali armësh nga Radusha në drejtim të Shkupit, por duke mos u bërë i njohur destinacioni final ka përfunduar tragjikisht, pasi katër persona humbën jetën. Grupi i përbërë nga katër anëtarë, që po transportonte armët, është ndaluar nga policia, e cila kishte zënë pritën që në orët e para të mëngjesit të së martës, duke pritur furgonin në ngjyrë të bardhë me targa false të Prilepit. Ministria e Brendshme zyrtarisht bëri të ditur se kishte sinjalizuar furgonin që të ndalonte, por drejtuesi i automjetit nuk kishte respektuar urdhërat dhe kishte filluar të qëllonte me armë në drejtim të policisë. Më pas ka ardhur edhe kundërpërgjigja e ashpër, pasojat e së cilës ishin fatale, 4 të vdekur. Identiteti i tre prej tyre u bë i ditur brenda një kohe të shkurtër. Bëhej fjalë për dy shtetasit e Maqedonisë: Shaban Zenuni nga fshati Merovë dhe Qemajl Fejzullahu nga fshati Gërçec të komunës së Sarajit, ndërsa personi i tretë është shtetasi i Kosovës, Xhafer Shala, 31 vjeç nga Prishtina, ndaj të cilit kishte një fletëarrest ndërkombëtar.