E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, kandidatët presidencialë, akuza ndaj njëri-tjetrit



Kandidatët për president në Maqedoni për në raundin e dytë, Gjorgji Ivanov nga VMRO-DPMNE dhe Lubomir Fërçkovski nga LSDM opozitare, kanë zhvilluar debatin e parë me tone dhe akuza të ashpra për temat e izolimit të vendit dhe bllokimit të procesit të eurointegrimeve. Kandidati i socialdemokratëve, Lubomir Fërçkovski, ka insistuar se qeveria aktuale është fajtore për rrënimin e pozicioneve në planin ndërkombëtar. “Kjo qeveri, me politikën e udhëhequr me elementet e antikitetit rreth çështjes së emrit, ka rrënuar pozicionet e Maqedonisë në planin e jashtëm. Sa më shpejt duhet të arrihet kompromis për emrin, me qëllim që Maqedonia në shtator të marrë ftesën për anëtarësim në NATO”, - ka theksuar Fërçkovski, duke akuzuar që kjo qeveri po ndjek kursin e izolimit të vendit. Ai ka premtuar se angazhohet për zgjidhje të emrit pa prekur identitetin kombëtar maqedonas. Ndërsa Ivanov ka hedhur poshtë akuzat e kundërshtarit të tij, duke shtuar se qeveria aktuale angazhohet në negociatat për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme. Dy kandidatët shkëmbyen edhe ofendime dhe nënçmime lidhur me karrierën e tyre politike dhe intelektuale. Kandidati i opozitës, Fërçkovski, e quajti një njeri të cekët kundërshtarin e tij Ivanov, duke e konsideruar vetëm si një “fletë të bardhë” në karrierën politike.

30 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›