E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, libri i gjeografisë si enciklopedia

Kështu thuhet në librin e gjeografisë së vitit të dytë të gjimnazit, në faqen 104. Kontroverse nuk është vetëm enciklopedia maqedonase, por edhe tekstet shkollore me të cilat shërbehen nxënësit e shkollave të mesme.

Profesorët shqiptar të gjeografisë ankohen për të pavërtetat shkencore që shkruhen në tekstet e gjeografisë. Azbi Ademi, profesori i gjeografisë në gjimnazin e Tetovës, tha se ky tekst është bojkotuar më 2004 në mbledhjen e profesorëve shqiptarë të lëndës së gjeografisë.

"Kur e pamë këtë libër vendosëm që mos të përkthehet në gjuhën shqipe pa u bërë njëherë korrigjimi rrënjësor i njësive mësimore sidomos te pjesa me kufijtë shtetërorë, toponimet që janë përdorur në gjuhën sllave si dhe strukturën etnike të popullsisë në Maqedoni. Por ky tekst prapë se prapë u botua dhe tani përveç gabimeve të njësive mësimore ka edhe gabime gjuhësore", thekson Ademi.

Edhe profesorët e gjimnazit "Zef Lush Marku" në Shkup, thonë se ky libër është stërmbushur me të pavërteta.

"Ky libër është ashtu siç thonë shkrimtarët e tij të cilët janë maqedonas dhe nuk ka asnjë shqiptar në mesin e tyre dhe e kanë shkruar ashtu siç ju ka marr mendja atyre. Është skandaloze pjesa në të cilën thuhet se shqiptarët kanë emigruar në Maqedoni para 230 viteve dhe se shqiptarët janë krijuar me shqiptarizimin e maqedonasve, kjo është diçka joshkencore dhe fyese për popullin shqiptar por pasi që nuk kemi material tjetër duhet ligjëruar nga ky libër", thonë ata.

Autorë të këtij teksti shkollor janë Dragan Vasileski, Bllagoja Markoski, Nikolla Panov, Nikolla V. Dimitrov dhe Gjorgji Pavllovski. Libri është botuar nga shtëpia botuese "Prosvetno dello".

Profesorët e “Zef Lushit” dhe ata të gjimnazit të Tetovës i bëjnë thirrje të gjithë mësimdhënësve shqiptarë të bojkotojnë librat jo shkencor të "Prosvetno dellos", pasi ato janë të mbushura me mashtrime dhe gënjeshtra.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›