Maqedoni, pasaporta në dy gjuhë muajin e ardhshëm
“Çdo të kishte ndodhur nëse mungonin pasaportat në gjuhën maqedonase? Sigurisht që dikush do të kishte fluturuar nga ministria”, thotë i revoltuar qytetari Adil Murati nga Kumanova. Ai është i sigurt se gjithçka është bërë me qëllim, ndërsa justifikimet e pushtetarëve se nuk ka pasaporta janë sa për t’ua mbyllur gojën atyre.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) thonë se pasaportat në dy gjuhë janë harxhuar dhe porosisin qytetarët shqiptarë që nxitojnë për tu pajisur me dokumente udhëtimi ta bëjnë atë vetëm në gjuhën maqedonase.
“Kuptohet se MPB e respekton të drejtën e qytetarëve të aplikojnë dhe të fitojnë pasaportë edhe në gjuhën shqipe. Meqë sasia e parë e pasaportave në gjuhën shqipe është harxhuar shumë shpejtë ne kemi porositur një sasi të jashtëzakonshme që shpresojmë se do të kënaq kërkesën. Në emër të MBP kërkojmë falje nga qytetarët dhe porositim që nëse kanë nevojë të shpejtë për udhëtim të pajisen me pasaportë në gjuhën maqedonase. Nëse nuk nguten atëherë le të presin pasi që morëm garanci nga kompanitë që i prodhojnë pasaportat se deri në fund të muajit duhet të arrijë sasia e pasaportave e porositur në mënyrë të jashtëzakonshme”, tha zëdhënësi i policisë, Ivo Kotevski.
Ndërkohë partitë shqiptare të opozitës kanë akuzuar Ministrinë e brendshme, se në këtë mënyrë po detyron shqiptarët të heqin dorë nga pasaporta në dy gjuhë.
“Pas gabimit të parë që e bëri MPB duke i regjistruar në dokumentet e udhëtimit të shqiptarëve shtetësinë dhe kombin maqedonase, tani kjo ministri bën edhe gabimin e radhës që ka të bëjë me nxjerrjen e pasaportave biometrike. Akoma më shqetësues është fakti se marrja e pasaportës me procedurë të përshpejtuar detyron shqiptarë të heqin dorë nga pasaporta në dy gjuhë”, tha Samira Ibrahimi, anëtare e Këshilli qendror të partisë Demokracia e Re.
Po ashtu edhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka akuzuar partinë shqiptare në pushtet (BDI) për mungesën e pasaportave. Ndërsa zëvendësministri Xhevat Buçi, ia ka hedhur fajin mediave për mungesën e pasaportave. Qindra shqiptarë për shkak të nevojës për udhëtim janë pajisur me dokumente udhëtimi vetëm në gjuhën maqedonase. Kohët e fundit për dokumente udhëtimit bëhen rreth 3 mijë aplikime në ditë aq sa është kapaciteti i MPB-së për dhënien e pasaportave për një muaj.