Stafi i Universitetit “Ismail Qemali” rifillon punën
Zv-ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Nora Malaj, konfirmoi se mirëkuptimi mes MASH-t dhe UV-së u arrit me sukses. Ajo sqaroi se, sipas kërkesave të parashtruara, në peticionin dërguar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, këtij universiteti do t’i njihet e drejta për vlerësimin dhe promovimin e pedagogëve, do të rivlerësohen kapacitetet për mësimdhënien, ndërkohë që brenda muajit mars, do ti jepen edhe mjediset e ish-Shkollës së Marinës, me të drejtë shfrytëzimi dhe jo pronësie.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës i vlerësoi dhe i miratoi kërkesat e stafit pedagogjik të Universitetit të Vlorës, pavarësisht rrugës që u ndoq prej tij duke bojkotuar procesin mësimor”, tha Malaj, duke shtuar se "kanë nisur edhe procedurat me Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, për dhënien e një sipërfaqeje toke për konkretizimin e projektit të ndërtimit të një kampusi universitar".
Tre ditë më parë, stafi pedagogjik i këtij institucioni, bojkotoi procesin mësimor dhe u përfshi në një protestë përmes së cilës kërkohej plotësimi i tre kërkesave: promovimin e stafit pedagogjik në nivelin e titullit prof. as., miratimin e programeve të reja të studimit dhe krijimin e mundësive reale për mjedise të reja për studentët.
Pjesë e kërkesave të konceptuara në një peticion, ishte edhe një terren për ndërtimin e një kampusi universitar, në një territor në periferi të Vlorës, në një distancë rreth 10 km në veriperëndim të qytetit.
Universiteti "Ismail Qemali" i Vlorës, është hapur në tetor të vitit 1994 dhe në të studiojnë rreth 13 mijë studentë.