Shkodër, tërhiqen ujërat, shfaqet rreziku i epidemisë
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile pranë Ministrisë së Brendshme bëri me dije të premten se sipërfaqja e tokës së përmbytur ishte 8340 hektarë, nga 9340 hektarë që ishte të enjten dhe 11 400 hektarë që ishte tre ditë më parë.
Përmirësimi i situatës brenda në Shkodër dhe në komunat problematike, që gjatë 15 ditëve të katastrofës ngjanin me ishuj, dalëngadalë po i lë vendin fazës tjetër, asaj të rehabilitimit të zonës dhe kthimit të banorëve.
Shifrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile pranë Ministrisë së Brendshme dëshmojnë se që nga fillimi i janarit mbetet i njëjtë numri i banesave të përfshira nga uji, 2169 banesa dhe 5173 persona të evakuuar.
Aktualisht po del në pah rreziku i përhapjes së epidemive. Autoritet këshillojnë konsumimin vetëm të ujit të ambalazhuar. Në rrugicat e brendshme të lagjes Salo Halili janë prezente ujërat e zeza. Aroma e keqe prej 3- 4 ditësh në këtë lagje ka revoltuar banorët të cilët janë të shqetësuar se ujërat e zeza kanë hyrë dhe në banesa.
Situata është përkeqësuar para 3-4 ditësh kur ka nisur dhe thithja e ujit me motopompa nga lagjja Xhabije, në hyrje të Shkodrës edhe kjo e mbuluar nga uji, pak ditë më parë.
Motopompat thithin ujin nga pusetat e lagjes Xhabije dhe i derdhin në lagjen Salo Halili, për tu derdhur më pas në lum.