Maqedoni, regjistrimi i popullsisë çon në përplasje mes grupeve etnike

Regjistruesit maqedonas grisin formularët në zonat e shqiptarëve
Regjistruesit maqedonas dhe shqiptarë kanë pasur mosmarrëveshje dhe përplasje në terren lidhur me realizimin e regjistrimit të popullsisë.
Ndërsa kanë mbetur edhe pesë ditë nga përfundimi i procesit të regjistrimit të popullsisë po vijojnë problemet në terren lidhur me zbatimin e tij pasi ka pasur mosmarrëveshje për interpretimin e Ligjit për Regjistrim.
Regjistruesit maqedonas në disa zonë shkaktojnë probleme dhe nuk firmosin formularët, duke refuzuar të regjistrohen qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Mirëpo, regjistruesit shqiptarë regjistrojnë çdo qytetarë që jeton jashtë vendit, pasi procesi përmbledh regjistrimin e të gjithë qytetarëve, edhe ata që jetojnë jashtë vendit më pak se një vit, por edhe pjesa tjetër që ka prona dhe pasuri të tjera në vendlindje.
Nënkryetari i Komisionit Shtetëror të Regjistrimit (KSHR), Bujar Osmani ka deklaruar se Ligji parashikon regjistrimin e të gjithë qytetarëve që përkohësisht janë jashtë vendit.
“Ligji është i qartë në këtë drejtim, do të regjistrohen të gjithë qytetarët që janë jashtë vendit më pak se 12 muaj. Ato regjistrohen përmes familjarëve të tyre të cilët i japin të dhënat dhe dokumentacionet personale”, theksoi Osmani. Ai ka apeluar se regjistruesit duhet të zbatojë detyrimet e tij dhe nuk janë të detyruar që të verifikojë se cili qytetarë është në shtëpi apo jashtë vendit. Sipas tij, është e vlefshme deklarata e dhënë nga familjarët. Kryetarja e KSHR-së, Sllobodanka Gievska ka theksuar se regjistruesit duhet të kenë kujdes dhe të respektojnë ligjin. Sipas saj, do të ndiqen penalisht të gjithë regjistruesit që nuk respektojnë ligjin apo bëjnë regjistrimin në mungesë të dokumentacioneve apo dëshmive të vlefshme. Regjistrimi i qytetarëve që përkohësisht janë jashtë vendit, refuzimi i qytetarëve që të regjistrohen me dokumente të kopjuara, mungesa e regjistruesve në disa zona dhe vonesat e shumta në aspektin organizativ, janë disa nga problemet që po ndjekin procesin e regjistrimit të popullsisë. KSHR mbrëmë ka mbajtur një mbledhje të posaçme për të vlerësuar procesin e deritanishëm të regjistrimit dhe se sot pritet të publikohen vlerësimet e para.