Maqedoni, regjistrimi shtyhet për një afat të pacaktuar

Regjistrimi i ri i popullsisë në Maqedoni pas dështimit të këtij të fundit do të shtyhet për afat të pacaktuar.
Propozimi dhe plani për shtyrjen e këtij procesi është vendosur nga kryeministri Nikolla Gruevski. Për realizimin e procesit të ardhshëm do të shqyrtohet një model i ri, ndërsa po shqyrtohet modeli slloven.
Sipas mediave në Maqedoni një prej modeleve është edhe regjistrimi elektronik dhe pritet të shpjegohet dhe të hartohet nga ana e një grupi pune. Ky regjistrim bëhet përmes grumbullimit të të dhënave nga bazat dhe të dhënat që janë pranë institucioneve, përkatësisht MPB dhe Ministrisë së Drejtësisë dhe jo një operacioni që do të realizohet në terren.
Mirëpo, propozimi i tillë për një regjistrim elektronik nuk përkrahet nga faktori politik shqiptar.
Komisioni Evropian ka kërkuar që regjistrimi i ardhshëm të bëhet në mënyrë precize duke dhënë një pasqyrë reale për popullsinë në vend. KE kërkon që regjistrimi të zhvillohet në përputhje me standardet ndërkombëtare, por edhe të ketë një kompromis të gjërë politik të bazuar në frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe midis të gjithë faktorëve politik.
Zyrtarë të lartë qeveritar nuk dëshirojnë të komentojnë për ndonjë datë të mundshme të regjistrimit të popullsisë, ndërsa sipas tyre, me prioritet është shfuqizimi i ligjit aktual për regjistrim dhe më pas hapja e një debati politik dhe profesional.