Përmbytjet, MB: 3775 ha tokë e “pushtuar” nga uji
Në bazë të informacioneve të kësaj ministrie, bëhet e ditur se në Qarkun e Shkodrës janë të përmbytura 3775 hektarë tokë. Më e prekura në këtë qark është komuna Ana e Malit, Dajçi dhe Bërdica.Ndërkohë, në këtë qark ndodhen të përmbytura edhe 297 shtëpi, kryesisht në fshatin Obot. Në këtë qark, në komunën Dajç por edhe në komuna të tjera janë evakuuar 232 familje. Autoritetet përkatëse kanë shpërndarë edhe ndihma, kryesisht pako me ushqime elementare. Për sa i përket Qarkut të Lezhës, sipas Ministrisë së Brendshme, situata po shkon drejt normalizimit.“Po punohet intensivisht nga firma private dhe nga forcat dhe mjetet e ushtrisë, për ndërtimin e argjinaturës, në afërsi me lagjen Stome, në Tale dhe në fshatin Ishull Shëngjin, me 11 mjete, (6 vetshkarkuese, 2 fadroma, 1 eskavator, 1 karoofiçinë dhe 1 ambulancë, të Ministrisë së Mbrojtjes), dhe 3 fadromë private. Deri dje, nga kjo argjinaturë është përfunduar 700 ml, nga 1500 ml që është gjithsejt. Në qarkun e Lezhës, gjithashtu po punojnë forca dhe mjete të Policisë së Shtetit, emergjencave civile, të bordeve të kullimit dhe të pushtetit vendor”, thuhet në deklaratën e MB-së. Në qarkun e Shkodrës dhe atë Lezhës po operojnë në terren edhe forcat nga Ministria e Mbrojtjes e përbërë nga 112 trupa, 13 mjete transporti vetshkarkuese dhe 6 motobarka gomone. Në Komunën e Ana e Malit 12 forca me dy mjete transporti montuan një urë tip bejli në këtë komunë. Gjithashtu janë dislokuar nga Policia e Shtetit forcat operacionale me përbërje: 15 mjete transporti, për të ndihmuar në evakuimin e banorëve, forca të FNSH Shkodër e Tiranë, si dhe reparti Delta Force me dy gomone.