Rama: “Është thelluar varfëria në fshatrat e Shqipërisë”
Partia Socialiste prezantoi dje Enciklikën për Çështjet Sociale, e cila është një fotografi e gjendjes marrë nga “Dialogu me Shqipërinë” i zhvilluar në rrethe të ndryshme të vendit gjatë muajit janar. Gjatë prezantimit të këtij dokumenti themelor mbi të cilin do të punojnë ekspertët për hartimin e Programit të ri qeverisës së PSSH-së, kryetari i socialistëve Rama nënvizoi thellimin e nivelit të varfërisë në zonat rurale dhe kryesisht në Veri dhe Verilindje të Shqipërisë. “Varfëria në Shqipëri ka përmasa rajonale, kështu zonat fshatare dhe malore në mënyrë të ndjeshme janë më të varfra sesa pjesa tjetër e vendit. Llogaritja për frymë e varfërisë në zonat fshatare është 66 për qind më e lartë sesa në Tiranë dhe 50 për qind më e lartë, sesa në zonat e tjera urbane. Konsumi për frymë në zonat fshatare është rreth katër të pestat e nivelit të konsumit në zonat urbane. Familjet në zonat e thella malore sidomos në pjesën veriore dhe verilindore të vendit janë dukshëm më të varfra se në zonën e ulët dhe atë bregdetare. Pothuaj gjysma e banorëve në këtë zonë janë të varfër, kurse më tepër se një e pesta jetojnë në varfëri të skajshme”, - u shpreh kreu i selisë rozë. Rama akuzoi gjithashtu kryeministrin Berisha se nuk mbajti premtimin e tij elektoral, për dyfishimin e pensioneve.
10 Prill 2008