Maqedoni, të dielën rivotohet në 187 qendra
Rivotimet në Maqedoni, ditën e dielë do të mbahen në 187 qendra votimi, në zonat me mbi 90 për qind shqiptarë. Mësohet se të drejtën e rivotimit do të kenë mbi 161 mijë votues. Sipas Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) sot pasmesnate hyn në fuqi heshtja zgjedhore.
Kryetari i KSHZ-së, Jovan Josifovski deklaroi se në zonën 6 zgjedhore do të rivotohet në 119 qendra votimi me gjithsej 100.789 votues, në zonën 2 do të rivotohet në 40 qendra votimi me gjithsej 34.983 votues ndërsa në zonën 1 do të rivotohet në 26 qendra votimi me gjithsej 26.102 votues.
Sipas tij, KSHZ-ja është e bindur se më 15 qershor do të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike dhe se për këtë ka marrë garanci edhe nga Ministria e Brendshme.
"Garanci për zgjedhje të suksesshme më 15 qershor është edhe veprimi ynë ndaj të gjithë atyre që përmes manipulimeve dëshirojnë të marrin votat. Ne atë e treguam me anulimin e votimit në shumë qendra votimi. Jam i bindur se mësimi është mësuar mirë dhe se më 15 qershor mendoj se askush nuk do t'i përsëris gjërat që ndodhën më 1 qershor", theksoi kryetari i KSHZ-së, Jovan Josifovski.
Kryeministri Nikolla Gruevski dhe ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska në një deklaruan se institucionet do të reagojnë rreptësisht ndaj të gjithë atyre që tentojnë të përsërisin dhunën dhe parregullësit e 1 qershorit. Liderët e partive shqiptare janë zotuar për shmangien e dhunës dhe incidenteve dhe organizimin e një rivotimi të lirë dhe demokratike.
Bashkësia ndërkombëtare ka bërë thirrje që rivotimet të kalojnë në një atmosferë të qetë dhe demokratike. Shefi i diplomacisë së Sllovenisë, Dimitrij Rupel po qëndron për vizitë në Maqedoni për të ndjekur nga ata procesin zgjedhor, duke marrë garanca të drejtpërdrejta nga liderët politik shqiptar dhe Qeveria për një proces të qetë dhe korrekt zgjedhor në rivotimet e 15 qershorit.
Rivotimi do të vëzhgohet nga monitoruesit e ODIHR, ambasadorët dhe stafi diplomatik i shumicës së vendeve perendimore si dhe nga përfaqësues dhe personalitete politike në Maqedoni.