E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: S'ka Shqipëri evropiane me fshat mesjetar

 

Korçë- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në kuadër të turit të tij, "Dialog me Shqipërinë" është ndalur sot në në Voskopojë të qarkut të Korçës, ku ka zhvilluar edhe Konferencën Rajonale të këtij qarku.

Rama në fjalën e tij është shprehur se Partia Socialiste në programin e saj do ta vendosë bujqësinë si qendrën e gravitetit të zhvillimit të vendit, pasi nuk mund të ketë Shqipëri evropiane pa një fshat të zhvilluar.

"Nuk mund të ketë Shqipëri evropiane, Shqipëri të zhvilluar, të mirëqenë e të qetë, në një fshat mesjetar, me bujq dhe fermerë, që janë të vetmit në rruzullin tokësor, që jetojnë duke mbajtur frymën gjallë, vetëm me forcat e tyre, pa asnjë mbështetje dhe vëmendjen nga shteti"- tha ai, duke iu drejtuar pjesëmarrësve.

Ai ka deklaruar se Shqipëria është në një udhëkryq strategjik dhe nuk del dot nëse nuk transformon fshatin dhe bujqësinë nga një gjendje agonie, ku vetëm mundimet individuale të njerëzve, socialistë e demokratë, pa parti,a çfarëdo qofshin, vuajnë po njësoj në një kaos dhe në një anarki totale.

Sipas Ramës, jemi një nga vendet më të pasura në Europë, ndërkohë që nuk vaditim gjysmën e tokave të punueshme, ndërkohë që mundësitë për vaditje janë pa fund. Defiçitin tregtar ai e ka krahasur me listat e borxheve të familjeve të varfra shqiptare, që mbahen me bujarinë e dyqaneve. "Është e pafalshme, që çdo ushqim është i importuar dhe që produktet bujqësore të vendit, vlejnë vetëm për të mbajtur gjallë frymën e familjeve që jetojnë, ose më saktë, mbijetojnë në fshat, në pamundësi për të nxjerrë prodhimet e tyre në treg. Sepse nuk ka as rrugë, sepse nuk ka sistem grumbullimi, sepse nuk ka infrastrukturë që të mundësojë shitjen, duke bërë edhe reklamimin"- tha më tej ai.

Në kushte të tilla, sipas kreut socialist është koha, që të merret përsipër përgjegjësia historike, për të ndërtuar një program real, konkret dhe pune, që në 4 vjet ne t'i kthehet fshatit dinjiteti në radhë të parë, i cili është grabitur nga politika e llogarive të çetave, për të marrë pushtetin dhe për të abuzuar me njerëzit e thjeshtë e të ndershëm të këtij vendi.

Dhe ky program, sipas tij nuk ka si të lind tjetër, veçse duke dëgjuar fermerët, sepse janë ata që kanë se çfarë të thonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›