E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, vota me viktima e parregullsi

Procesi zgjedhor në Maqedoni u mbyll me viktima, incidente të dhunshme, parregullsi dhe vjedhje votash, dhe analistët mendojnë se kjo e ka çuar Maqedoninë edhe më larg anëtarësimit të strukturave euro-atlantike. 

 Në votim mori pjesë rreth 50 për qind e popullsisë, ndërsa disa qendra u mbyllën që në orët e para të votimit për shkak të parregullsive. Pritet një vendim qeveritar për rivotimin në këto zona të banuara kryesisht prej shqiptarëve. Zgjedhjet për parlamentin e ri maqedonas prej 120 deputetësh morën jetën e një personi, për të cilin partia shqiptare BDI deklaron se, është aktivist i saj. Në Haraçinë të Shkupit vdiq shqiptari Naser Ajvazi, 40 vjeç, ndërsa disa të tjerë janë plagosur në përleshjet me policinë. Personi humbi jetën pas përleshjeve të armatosura me policinë maqedonase, pasi tentoi bashkë me një pjesë të grupit të tij të mbushte kutitë e votimit më vota të plotësuara. Partitë shqiptare PDSH dhe BDI vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për acarim dhe organizim të konflikteve. Sondazhet paraprake treguan se, fitues do të jetë bindshëm koalicioni i Kryeministrit aktual maqedonas, Nikolla Gruevski. Qendrat e votimit në Maqedoni u mbyllën rreth orës 19:00 pas 12 orësh votimi, por vazhduan në disa zona, ku procesi nuk kishte përfunduar ende. Zgjedhjet u vëzhguan nga rreth 6 mijë vëzhgues të vendit dhe të huaj. Përfaqësuesit ndërkombëtarë vazhdimisht kanë apeluar për zgjedhje të lira dhe demokratike, duke thënë se mbarëvajtja e tyre është kushti kryesor për integrimin e vendit në NATO dhe BE.
Sipas rezultateve paraprake, koalicioni VMRO-DPMNE mund të marrë 60 vende në parlamentin e ri. VMRO-DPMNE ka shqyrtuar rezultatet e 30 % të qendrave të votimit, duke dalë fitimtar në to, tha zëdhënësja për shtyp e koalicionit, Ilija Dimovski. Rezultatet zyrtare do të publikohen pas 48 orësh.
Deklarata e ODIHR
ODIHR në Maqedoni ka reaguar mbi ngjarjet e fundit dhe incidentet e rënda. Kristijan Shtrohal, Drejtori i Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut ka deklaruar pas përfundimit të zgjedhjeve se, dhuna nuk ka vend në proceset demokratike zgjedhore. “Kjo organizatë është e shqetësuar për incidentet dhe po ndjek me kujdes të gjitha informacionet dhe incidentet. Nuk dua të komentoj se ky proces zgjedhor si do të reflektohet në aspiratat evropiane dhe euroatlantike të Maqedonisë”, tha ai.
Cërvenkoski për incidentet
Presidenti i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski tha se: “Për fat të keq, që nga mëngjesi kemi informacione për incidente serioze, në të cilat ka pasur dhunë dhe përdorim të armëve, shumë vendvotime të mbyllura. Më vjen keq për gjithë këtë dhe mbetem me shpresë që e tërë kjo do të përfundojë dhe ta mbyllim ditën ashtu siç duhet”, tha ai duke shtuar se është shumë e rëndësishme që zgjedhjet të zhvillohen në atmosferë demokratike.
Deklarata e Gruevskit
Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka reaguar ashpër pas incidenteve të shumta e të dhunshme që ndodhën në votimet e djeshme të konsideruara mjaft të rëndësishme për Maqedoninë, duke paralajmëruar përsëritje të votimit në zonat që ka pasur incidente. “Shpreh keqardhjen që në disa pjesë të Maqedonisë, ka pasur incidente. Ne këmbëngulim që në ato pjesë ku janë shënuar incidentet të anulohen dhe të përsëriten zgjedhjet”, deklaroi Gruevski. “Kini kujdes sepse shteti do të funksionojë, shteti do të ndëshkojë të gjithë ata që kryejnë trazira. Incidentet nuk do të kenë asnjë ndikim tek rezultatet”, theksoi Gruevski.
Reagon BDI
Partia e madhe shqiptare BDI e drejtuar nga Ali Ahmeti, ka kërcënuar se nuk do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve në zonat ku ka pasur incidente dhe dhunë. “Procesi zgjedhor nuk ka pasur përputhje me standardet dhe ne nuk do t’i njohim këto rezultate”, tha kreu i BDI-së, Ahmeti në një konferencë për shtyp në Tetovë pas votimit. Ahmeti sqaroi se bëhej fjalë për shtatë zona ku në qendrat e votimit kanë pasur të shtëna me armë, kuti votimi të mbushura me vota të parregullta dhe incidente të tjera të rënda. BDI ka akuzuar partinë rivale shqiptare, PDSH si orkestruese të dhunës. Në sondazhet parazgjedhore, BDI ishte me disa për qind para PDSH-së. “Institucionet e shtetit maqedonas kanë dështuar sot duke servirur dhunë për qytetarët”, tha Ahmeti duke akuzuar PDSH për “ushtrim terrori” dhe “shkatërrim të procesit zgjedhor”.
Incidente
Incidentet në zgjedhjet maqedonase kanë pasuar me një sërë arrestimesh. 11 persona u arrestuan nga policia e vendit fqinj si provokues të incidenteve, mes të cilëve edhe ish-komandanti i UÇK-së, Agim Krasniqi, i cili konsiderohet një person i afërt me
PDSH-në. Në orët e mbrëmjes Krasniqi, pasi është marrë në pyetje është liruar. Ndërkohë, pasditja e zgjedhjeve në Maqedoni ka qenë e qetë dhe pa incidente, sipas zëdhënësit të KSHZ, Zoran Tanevski.
Ndërpritet votimi
Në 20 qendra votimi procesi zgjedhor është ndërprerë për shkak të incidenteve të shumta, më i rëndi prej të cilëve solli vdekjen e një personi. Në të gjitha vendvotimet në fshatin Haraçinë të Shkupit zgjedhjet u ndërprenë për arsye sigurie, pasi persona të panjohur hapën zjarr mbi njësitë speciale policore. Ngjarja ndodhi në orën 8:45, kur persona të panjohur e të armatosur hapën zjarr mbi pjesëtarët e njësisë “ALFA”. Policia është kundërpërgjigjur duke vrarë një person dhe plagosur 11 të tjerë. Për shkak të këtij incidenti është vendosur që për arsye të sigurisë të ndërpritet votimi në të gjitha vendvotimet në Haraçinë. Incidente të tjera kanë ndodhur edhe në Tetovë dhe Gostivar, sipas Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ). Në fshatin Bugoviç rreth tridhjetë persona të armatosur kanë hyrë në vendvotimet, kanë mbledhur materialin zgjedhor dhe janë larguar. Edhe në fshatin Laskavcë ka pasur të shtëna në vendvotim dhe anëtarët e këshillit zgjedhor braktisën vendin dhe lanë materialin zgjedhor. Incidentet kanë pasur edhe në Bogovinë, ku  ka pasur më shumë fletëvotime të futura në kutitë e votimeve.
Tërhiqet MOST
Për shkak të parregullsive, dhunës, votimit familjar, një pjesë e madhe e vendvotimeve janë mbyllur, ndërsa janë tërhequr edhe një pjesë e vëzhguesve të asociacionit qytetar MOST. Vëzhguesit e MOST janë tërhequr nga vendvotimet për shkak të ndërprerjes 2-orëshe në 15 vendvotime në Komunën e Çairit, si dhe në dy vendvotime në Tetovë, ku është regjistruar votim i shumëfishtë i një personi. Komisioni komunal zgjedhor për shkak të mbushjes së kutive ka mbyllur dy vendvotime në Kamenjan, Komuna e Bogovinës, si dhe tri vendvotime në Komunën e Sarajit. Votim familjar është regjistruar edhe në një vendvotim në Komunën e Kërçovës.
Përsëritet votimi
Qeveria maqedonase ka konfirmuar se në 22 zona zgjedhore votimi do të përsëritet për shkak të parregullsive dhe vjedhjes së votave. Zëdhënësi i qeverisë maqedonase, Ivica Bocevski tha se, nuk do të raportohet asnjë rezultat nga qendrat e votimit që kanë pasur parregullsi përfshirë kërcënimet, dhunën dhe vjedhjen e fletëve të votimit. Bocevski shtoi se, ishin raportuar probleme nga 1 për qind e qendrave të votimit në vend, pjesa më e madhe e të cilave në zonat shqiptare.

“Pushteti nuk legjitimohet me dhunë”
Presidenti Bamir Topi ka reaguar kundër incidenteve të dhunshme mes shqiptarëve në zgjedhjet e përgjithshme në Maqedoni. “Shqipëria distancohet prerë ndaj të gjithë atyre që mendojnë se nëpërmjet dhunës do të mund të legjitimojnë pushtetin e tyre”, u shpreh Topi, duke iu bërë thirrje të gjitha subjekteve politike të Maqedonisë që të distancohen jo vetëm me fjalë dhe me deklarata nga dhuna, pasi “zgjedhjet e ditës së sotme janë një mundësi tjetër e shqiptarëve të Maqedonisë për të provuar se sa të vendosur janë ata të kontribuojnë për të ardhmen e demokracisë dhe stabilitetit në Maqedoni”.

“Lërini hapësirë arsyes”
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, u ka bërë thirrje partive politike në Maqedoni dhe votuesve shqiptarë e maqedonas që t’i lënë hapësirë arsyes dhe të angazhohen në ndërtimin e një demokracie të mirëfilltë në vend. “Ndërtimi i institucioneve në Maqedoni duhet të bëhet mbi bazën e votës së lirë të qytetarëve me qëllim të hapjes së rrugës për integrime euro-atlantike. Iu bëj thirrje partive politike shqiptare në Maqedoni që të kenë kujdes të veçantë dhe të sillen me një maturi të lartë, pasi do të ishte e dëmshme për Maqedoninë dhe do të kishte reflektime negative edhe më gjerë, në rast të zhvillimit të një konkurrence, jo-luajale”, tha Sejdiu.

“Rivotim në zonat me incidente” 
Shefi i Politikës së Jashtme në BE, Havier Solana, pas përfundimit të votimit në Maqedoni ka kërkuar që votimi të ripërsëritet në zonat ku ka pasur parregullsi dhe incidente. “Solana bën thirrje për qetësi në zonat e votimit ku ka pasur incidente dhe parregullsi”, tha zëdhënësja e tij Kristina Gallak. Krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian, Komisioni Evropian i cili ka pasur edhe përfaqësues në monitorimin e këtyre zgjedhjeve, ka shprehur shqetësimin për këto incidente. Një në tre kuti votimi në zona të caktuara ishte e pambyllur mirë. “Në u bëjmë thirrje për qetësi dhe të përmbani aktivistët tuaj, ne po vazhdojmë ta ndjekim situatën nga shumë afër”, thuhet në deklaratën e KE.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›